Lumi Ishëm del nga shtrati, përmbyten qindra hektarë tokë bujqësore. Kanalet kulluese jashtë funksioni...

Përmbytje të shumta në zonën e Murqinës dhe fshatrat përreth, situata mbetet kritike

Lumi Ishëm ka dalë nga shtrati në pikat e tij më të dobëta në fshatin Murqinë të Mallkuçit, duke përmbytur qindra hektarë tokë bujqësore dhe duke bllokuar dy lagje të këtij fshati.

Ndërkohë, situata vijon të jetë problematike edhe në disa fshatra të tjerë si Bubqi, Gramza, Derveni, Luzi, Mallkuçi, Murqina, Bilaj etj. Shkak kryesor mbetet mosfunksionimi i kanaleve kulluese, çka ka sjellë përmbytjen e qindra hektarëve tokë bujqësore, si dhe bllokimin e rrugëve dhe akseve kryesore.

Sipas banorëve, situata nuk ka shfaqur asnjë shenjë përmirësimi, pasi deri më tani nuk ka pasur asnjë ndërhyrje nga strukturat e bashkisë, prefekturës apo emergjencave civile.

Edhe pse reshjet e shiut kanë ndaluar për momentin, parashikimet meteorologjike tregojnë se pritet që ato të rifillojnë, duke rritur edhe më tej rrezikun për përkeqësim të situatës në zonë.

Hidrovori i ri, për të cilin u shpenzuan 19 milionë euro, ka rezultuar totalisht i paefektshëm. Ai nuk arrin të tërheqë sasitë e nevojshme të ujit nga zona e ish-Kënetës dhe lagjet e tjera të qytetit, duke i lënë ato në mëshirë të fatit sa herë që ka reshje intensive.