Liverpool-I kërkon 12 milionë euro për Chiesa-n, Salah ngadalëson gjithçka

Merkatoja e janarit, zakonisht e ndërlikuar për shkak të kohës së kufizuar dhe mundësive të pakta, mund t’i rezervojë Juventusit një rikthim të bujshëm: Federico Chiesa-n. Klubi bardhezi po mendon seriozisht ta rikthejë në Torino anësorin ofensiv 28-vjeçar, i cili aktualisht po kalon një sezon të vështirë te Liverpooli.

Chiesa nuk po gjen hapësirat e dëshiruara në Premier League, ku ka luajtur vetëm 228 minuta, ndërsa në Champions League ka marrë pjesë në tri ndeshje si zëvendësues, pa arritur as një orë lojë në total. Një situatë që e ka shtyrë ish-lojtarin e Fiorentinës të mendojë seriozisht për një rikthim në Itali, me synimin për të luajtur rregullisht dhe për të qenë në formën më të mirë të mundshme edhe në funksion të ndeshjeve “playoff” me Italinë, në përpjekje për kualifikimin në Botërorin 2026.

Liverpooli, nga ana e tij, nuk e përjashton largimin e Chiesa-s, por vetëm në kushte të qarta: shitje përfundimtare ose, në maksimum, huazim me detyrim blerjeje. Sipas raportimeve të Sport Mediaset, klubi anglez kërkon të paktën 12 milionë euro, shumë që korrespondon me investimin e bërë 18 muaj më parë për ta marrë nga Juventusi.

Drejtuesit bardhezinj, të vetëdijshëm për minutazhin e kufizuar të Chiesa-s te “Reds”, do të përpiqen të negociojnë për një ulje të çmimit. Përveç Juventusit, situatën po e ndjekin me interes edhe Napoli dhe Roma.

Megjithatë, ekziston një pengesë e rëndësishme: Liverpooli dëshiron të ketë sërish në dispozicion Mohamed Salah, i cili aktualisht është i angazhuar në Kupën e Afrikës. Nëse Egjipti do të arrijë deri në finale, Salah do të kthehet vetëm pas 18 janarit, duke vonuar çdo vendim përfundimtar për Chiesan.