Dosja e kanosjes së gjyqtarit, 3 telefonat e Ben Qimes çohen në SPAK për ekspertim. Kërkohet hapja e bisedave të tjera
Nga Elton Qyno – Syri.net
Me shpresën e nxjerrjes së plotë të të dhënave telefonike, 3 nga 5 celularët e sekuestruar në banesën e Arben Isufaj në fshatin Sheq të Fierit, janë çuar për ekspertim në laboratorin kibernetik të ngritur në Prokurorinë e Posaçme SPAK.
Gazetari Elton Qyno, ka mësuar se vendimi është marrë pak kohë më parë nga prokuroria e Beratit, e cila po ndjek çështjen penale në ngarkim të “Ben Qimes” së Fierit, lidhur me kanosjen me jetë ndaj gjyqtarit të Fierit, Vladimir Cjapi.
Aktualisht Arben Isufaj, ndodhet në kërkim pasi gjykata e Fierit caktoi masën e “arrestit në burg” ndaj tij. Në vijueshmëri të hetimeve të mëtejshme, prokuroria e Fierit që regjistroi e para dosjen penale kundër të “fortit” të Fierit, shpalli moskompetencën dhe ja kaloi çështjen prokurorisë së Beratit.
Por pas analizimit të të dhënave është vendosur që 3 nga telefonat e Arben Isufaj, të çohen për ekspertim të SPAK, me shpresën e rikuperimit të bisedave të tjera që ka kryer në telefon Isufaj.
Sipas burimeve 5 telefonat i janë sekuestruar Ben Qimes në banesën e tij, gjatë një aksioni të kryer nga RENEA me qëllim arrestimin e tij.
Dy nga këta telefona, janë gjendur të thyer dhe nuk mund të ekspertohen ndërsa 3 të tjerë janë sekuestruar në gjendje të mirë teknike, ndaj tashmë janë çuar për ekspertim.
Pritet që në fund të muajit Shkurt 2026, prokuroria e Beratit të marrë një vendim përfundimtar rreth kësaj çështje, ndërsa tashmë është në pritje të ekspertimit të pajisjeve telefonike nga ekspertët e SPAK.
Kujtojmë se në më 20 shkurt 2025, gjykata e Fierit shpalli në kërkim 55-vjeçarin Arben Isufajt për kanosjen e gjyqtarit Vladimir Cjapi dhe për mbajtje pa leje të armëve e municioneve luftarake.
Arben Isufaj, një prej të fortëve të qytetit të Fierit njihet ndryshe dhe me nofkën Ben Qimja.
Ai ka një të kaluar kriminale në shtetin italian dhe është dënuar nga Gjykata e Torinos për trafik lëndësh narkotike. Isufaj u arrestua për t’u ekstraduar në Itali në mars 2014, por kërkesa e autoriteteve italiane u hodh poshtë nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier.
Në maj të vitit 2023, Gjykata e Posaçme konfiskoi disa prej pasurive të Isufajt në Fier.