1 metër ujë brenda në shtëpi, banorja në Durrës denoncon: Shteti na ka lënë në mëshirë të fatit
Një situatë dramatike paraqitet në zonën e Durrësit të Ri, ku reshjet e dendura kanë shkaktuar përmbytje masive, duke lënë dhjetëra familje nën pushtetin e ujit.
Një banore e zonës, Nushe Pulaj, në një lidhje direkte në SYRI TV me Arnold Karriqin, ka denoncuar braktisjen totale nga institucionet shtetërore, ndërsa shtëpia e saj dhe e gjithë lagjja janë të përmbytura.
Pamjet nga banesa e saj tregojnë një skenë të rëndë: uji ka arritur nivelin e një metri brenda në shtëpi, duke shkaktuar dëme të pallogaritshme materiale.
“E gjithë shtëpia më është përmbytur. Me frigoriferë, me televizorë, divane, dhomë gjumi, me të gjitha,” deklaroi ajo, duke treguar se të gjitha orenditë dhe pajisjet elektroshtëpiake janë shkatërruar.
Situata është e njëjtë për të gjitha banesat në katet e para të lagjes, të cilat janë tërësisht jashtë funksionit.
Sipas dëshmisë së banores, thirrjet për ndihmë drejtuar autoriteteve kanë rënë në vesh të shurdhër.
“Kemi tentuar të marrim policinë, nuk na janë përgjigjur. Kemi telefonuar bashkinë dhe emergjencat civile, por asnjë institucion shtetëror nuk ka ardhur këtu,” shprehet zonja Pulaj, duke theksuar se banorët ndjehen të lënë në mëshirë të fatit.
Për banorët e kësaj zone, kjo nuk është një ngjarje e re.
Kjo është hera e tretë që ata përballen me një përmbytje të tillë, çka tregon për një problem të përsëritur dhe të pazgjidhur. Mungesa e një paralajmërimi nga institucionet përkatëse i ka gjetur ata sërish të papërgatitur, duke përkeqësuar edhe më tej pasojat e kësaj fatkeqësie.
Të gjendur mes ujit dhe baltës, ata kërkojnë një zgjidhje urgjente dhe prezencën e shtetit për të përballuar këtë situatë emergjente.