'Kruaje dhe do e shohësh'/ Doktrina e re e Trump që po terrorizon autokratët si Rama
Pas operacionit të bujshëm në Venezuelë, Shtëpia e Bardhë bëri me dije se askush nuk duhet të bëjë lojëra me Amerikën. Sipas medieve të shumta amerikane, doktrina e re e Trump është me vetëm pak fjalë. Ajo njihet si FAFO “fuck around and find out”, e cila mund të përkthehet pak a shumë se nëse e kruan, do e mësosh se çfarë të gjen. Kjo doktrinë po terrorizon autokratët në mbarë botën, përfshi autokratin shqiptar, Edi Rama. Gazeta ‘Financial Express’ shpjegon më poshtë më shumë termin e përdorur për doktrinën e re Trump. Termi u bë viral në mediat sociale
Pasi Shtetet e Bashkuara kapën presidentin venezuelas, Nicolás Maduro, gjatë operacionit “Absolute Resolve” mbi kryeqytetin Karakas, Shtëpia e Bardhë i dërgoi botës një mesazh.
Mesazhi përfshinte termin FAFO, një akronim për shprehjen angleze “fuck around and find out” ('kruaje dhe do e shohësh').
Shtëpia e Bardhë shpërndau gjithashtu një fotografi bardhë e zi të Trump me mbishkrimin: “Nuk ka lojëra. FAFO.”
Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, gjatë një konference për shtyp, tha se Maduro “e kishte shansin e tij” dhe se kishte pasur “mundësi të shumta për të shmangur” atë që ndodhi të shtunën.
Ai e krahasoi situatën me Iranin, duke thënë: “Edhe Irani e kishte shansin e tij, derisa nuk e pati më – edhe ai nuk e pati më”.
“Ai e kruajti dhe e pa çfarë i ndodhi,” vazhdoi Hegseth. Ai shtoi se Trump është “tejet serioz” për “rivendosjen e parandalimit dhe dominimit amerikan në Hemisferën Perëndimore” dhe për ndalimin e drogës dhe bandave kriminale që të hyjnë në territorin amerikan.
“Atij iu ofruan shumë, shumë, shumë oferta bujare dhe ai zgjodhi t’i refuzojë. Zgjodhi të sillet si një njeri i çmendur. Zgjodhi të luajë, dhe rezultati është ajo që pamë sonte,” tha ai më tej.
“Mesazhi tjetër është ky: ke një njeri, si shumë të tjerë në botë, që i pëlqen të luajë lojëra”.
Ai e bëri të qartë se Presidenti Trump nuk i pëlqen lojërat: “Presidenti nuk del të kërkojë sherre. Ai zakonisht dëshiron të shkojë mirë me të gjithë. Ne flasim dhe takohemi me këdo. Por mos luani lojëra. Mos luani lojëra me këtë president në detyrë, sepse nuk do të përfundojë mirë”.
Edhe Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, gjatë së njëjtës konferencë për shtyp, tha se Trump është një “president i veprimit”.
“Nuk e kuptoj ende si nuk e kanë kuptuar këtë deri tani. Dhe tani, nëse nuk e dinit, tani e dini”.
Ai shtoi: “Sepse kështu do të zhvillohen gjërat, dhe njerëzit duhet ta kuptojnë se ky nuk është një president që vetëm flet, dërgon letra apo mban konferenca shtypi. Nëse ai thotë se është serioz për diçka, ai e ka seriozisht. Dhe ky ishte një kërcënim i drejtpërdrejtë për interesin kombëtar të Shteteve të Bashkuara, dhe presidenti u mor me të”.
Në tetor, Presidenti amerikan Donald Trump kishte paralajmëruar se Maduro “nuk duhet të luajë me Shtetet e Bashkuara”.
Pas operacionit, djali i Trump-it, Eric, shpërndau mesazhin e të atit në X (ish-Twitter) dhe shkroi: “Epoka ‘FAFO’ vazhdon.”