Reshjet e shiut shkaktojnë problematika në Gjirokastër, rrezik përmbytje dhe shkarje dheu në disa akse
Reshjet e shiut të rëna gjatë natës kanë sjellë problematika në disa zona rurale të qarkut Gjirokastër. Situata më shqetësuese paraqitet në njësinë administrative Picar, njësia administrative Odrie, ku rezervuari ka shfaqur probleme si pasojë e rritjes së nivelit të ujit.
Sipas autoriteteve vendore, ekziston rreziku i përmbytjes së tokave bujqësore përreth, ndërsa strukturat përkatëse kanë nisur verifikimet në terren për të vlerësuar gjendjen aktuale dhe për të parandaluar përkeqësimin e situatës në rast të reshjeve të tjera.
Ndërkohë, shkarje dheu janë regjistruar edhe në njësinë administrative Cepo, si dhe në zonën e njohur si “Shkalla e Zezë”, në aksin rrugor Gjirokastër–Tepelenë. Deri në këto momente nuk raportohet për bllokime të zonave apo probleme serioze në qarkullimin rrugor.
Autoritetet mbeten në gatishmëri dhe po monitorojnë situatën për të garantuar sigurinë e banorëve dhe mbarëvajtjen e lëvizjes.