Rama para drejtësisë, ish-ambasadori zbardh dosjen e zezë: Lidhjet me krimin e organizuar dhe kartelin e Sinaloas...

Kryeministri Edi Rama do të përballet me drejtësinë jo vetëm për arrogancën dhe sjelljen ndaj popullit të tij, por edhe për prova që e lidhin atë drejtpërdrejt me krimin e organizuar dhe kartele ndërkombëtare të drogës. Këto ishin akuzat e rënda të bëra gjatë emisionit Kafe Shqeto në Syri tv nga ish ambasadori Agim Nesho, i cili pohoi se ekziston një dosje me prova të pakundërshtueshme që implikojnë kreun e qeverisë.

Sipas tij, termi "Rama-shenko", një paralele me liderin autoritar të Bjellorusisë, nuk është i rastësishëm, por buron nga analiza të gazetarëve amerikanë që kanë vërejtur një ngjashmëri të thellë mes dy autokratëve. Kjo ngjashmëri, siç u theksua, nuk është vetëm ideologjike, por manifestohet në mënyrën e sjelljes me popullin, duke tërhequr paralele me farsën propagandistike të ndodhur në Venezuelë dhe formatin e komunikimit të tipit "Alo Presidente". Analisti sugjeroi se ndërprerja e fundit e këtyre bashkëbisedimeve me publikun është një shenjë frike nga ana e kryeministrit.

Duke iu referuar qëndrimit të Shteteve të Bashkuara, gjatë bisedës me moderatorin Flavio Qarri, ish diplomati solli në vëmendje deklaratën e ish-Presidentit amerikan Trump, i cili ka pohuar se SHBA nuk do të ketë asnjë kufizim për të goditur organizatat kriminale dhe regjimet autokratike që i mbështesin ato, pavarësisht vendndodhjes së tyre. Kjo, sipas tij, lë të hapur mundësinë teorike që vëmendja e Amerikës të zhvendoset edhe drejt Shqipërisë.

Në qendër të akuzave qëndrojnë dy pika kyçe për të cilat, sipas Neshos, Rama do të japë llogari para drejtësisë. E para, bashkëpunimi i provuar me krimin e organizuar, i mbështetur nga dëshmi të zyrtarëve të lartë, përfshirë zëvendëskryeministrin, të cilët e kanë cilësuar si kreun e një organizate terroriste. E dyta, ekzistenca e provave filmike që dokumentojnë takime dhe një vendim personal të kryeministrit për t'i dhënë licencë kazinoje një përfaqësuesi të kartelit famëkeq meksikan të Sinaloas. Analisti theksoi se këto prova janë më të forta se ato që amerikanët zotërojnë kundër Nicolas Maduros në Venezuelë.

Në përfundim, ai e cilësoi Ramën si "armikun e vetvetes" dhe "hajdut të pasurive të popullit", duke e akuzuar për drejtimin e një "regjimi hajdutësh" që ka shkelur të drejtat e qytetarëve dhe ka përvetësuar pasuritë publike për të mbajtur në këmbë një sistem të korruptuar. Sipas tij, dita e përballjes me drejtësinë për kryeministrin po vjen "shumë afër".

Agim Nesho: Në fakt dihet sepse ka patur edhe shumë kolegë të tjerë të cilët e kanë përcaktuar Ramën si kolegu i nderuar Papa që i thotë Rama-Shenko.

Çështja e termit ka dalë nga vetë analistët, gazetarët amerikanë, që shikonin një ngjashmëri shumë të madhe midis dy autokratëve, jo vetëm nga linjat ideologjike, të majta, por edhe nga mënyra e sjelljes me popullin e tyre.

Kemi një vazhdimësi se çfarë ndodhte në Venezuela me atë farsë propagandistike që ndodhte në Shqipëri. Bënin bashkëbisedim me popullin, në emisione televizive...Alo presidente, po.

FLavio Qarri: Më duhet të them, ambasador, që po të paktën e fundit Rama nuk e ka bërë për arsye që nuk dihen.

Agim Nesho: Po sigurisht ka frikë, prandaj i ka rënë në kokë emisionit.

Flavio Qarri: Tani ju thoni ka frikë. Ne pyetëm edhe më herët nëse ka frikë Rama. Presidenti Trump pas operacionit ndaj Maduros tha që ky nuk është as i pari dhe as i fundit. Pyetja ime është, mendoni vërtet sa janë probabiliteti që pasi të mbarojë puna në hemisferën perëndimore ku ja bëri këtë premtim Kolumbisë edhe Kubës një senator, mund të vijë këtej nga Europa? E njëjta pyetje vlen dhe për Ndrenikën. Po në rrafshin gjeostrategjik, diplomatik, sa ekzistojnë mundësitë?

Agim Nesho: Duhet të them një gjë, Flavio. Presidenti Trump tha dhe diçka tjetër në vigjilje të Krishtlindjeve, duke thënë që veprimtarinë sidomos të vendeve të cilët merren me me drogë, me krimin e organizuar, nuk do të ketë kufizim të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të goditur këto organizata kriminale të mbështetura nga pushtete të instaluara autokratike.

Domethënë, teorikisht është e mundshme çdo gjë. Nga ana tjetër, Shqipëria është një vend anëtar i NATO-s dhe me të drejtë lideri i opozitës tha që Delta Forcët janë vetë shqiptarët. Drita jeshile për të goditur fenomenin është dhënë. Rama do të dali përpara drejtësisë për dy qëllime. I ka provuar vetes bashkëpunimin me krimin e organizuar.

Ka prova të vërtetuara dhe dëshmitarë të nivelit të lartë, duke përfshirë zëvendëskryeministrin dhe dorën e djathtë të tij, që e quajnë kryetar të një organizate terroriste. Ka prova filmike të takimeve dhe të prononcimit të tij direkt që i ka dhënë licenca kazinoje një përfaqësuesit të Sinaloas, që kjo është shumë më tepër sesa faktet që amerikanët kanë për Maduron.

Pra, si konkluzion i dashur Flavio, Rama do të përballet me drejtësinë, përveç çështjes Ncegonigal apo ndonjë tjetër e hapur, në një tjetër, për dy qëllime. Lidhjen me krimin e organizuar dhe e dyta, arroganca, sjellja që ka bërë ndaj popullit të tij. Ka krijura një regjim hajdut. Një njeri që ka shkelur të drejtat e një populli duke i përvetësuar pasurinë e tij publike dhe financiare në dobi të mbajtjes së një regjimi të korruptuar.

Një udhëheqës arrogant, cili na jep direktiva vetëm për t'u bërë klientelist në momente të caktuara, duke e quajtur Shtetet e Bashkuara të Amerikës si të papranueshëm për politikat europiane që kanë bërë me sigurinë dhe me çështjen e Ukrainës e kështu me radhë. Domethënë, Rama është armiku i vetvetes, por edhe një armik i madh dhe hajdut i pasurive të këtij populli, prandaj një ditë do të do të dali përpara drejtësisë dhe kjo ditë duket se po vjen shumë afër…