Ndërhyrja e SHBA në Venezuelë, Ndrenika: Ja arsyet që çuan në arrestimin e Maduros
Ndërhyrja e Shteteve të Bashkuara në krizën politike të Venezuelës ka ngritur shumë pyetje, por një analizë e thelluar sugjeron se arsyet shkojnë përtej narratives së thjeshtë të kontrollit të naftës. Ndërsa situata mbetet fluide me emërimin e zëvendëspresidentit nga Gjykata Supreme për të drejtuar vendin, lëvizjet amerikane duket se janë pjesë e një strategjie më të gjerë gjeopolitike.
I ftuar në emisionin e mëngjesit Kafe Shqeto në Syri tv gazetari Denion Ndrenika tha se, “një nga hapat e parë të fazës tranzitore pritet të jetë rivendosja e të drejtave të kompanive amerikane dhe perëndimore, asetet e të cilave u sekuestruan gjatë epokës së Hugo Chavezit”. Megjithatë, fokusi kryesor nuk është thjesht nafta. Shtetet e Bashkuara prodhojnë rreth 20.1 milionë fuçi nafte në ditë, një shifër që e zbeh prodhimin prej rreth 1 milion fuçish të Venezuelës. Kjo e zhvendos theksin nga një interes i pastër ekonomik tek një lojë më komplekse gjeostrategjike.
Argumenti amerikan mbështetet në konceptin e juridiksionit për të vepruar edhe jashtë territorit të vet kundër subjekteve apo individëve që përbëjnë rrezik për sigurinë kombëtare. Në këtë kontekst, tha Ndrenika në bisedë me moderatorin Flavio Qarri, regjimi venezuelian është përballur me akuza të rënda për lidhje me narkotrafikun dhe narkoterrorizmin, ku pretendohet se paratë e paligjshme janë përdorur për të ruajtur pushtetin. Kjo i jep Uashingtonit një justifikim ligjor, sipas interpretimit të tij, për të ndërhyrë.
Një tjetër dimension kyç i kësaj strategjie është kufizimi i ndikimit të Rusisë dhe Kinës në rajon. Të dyja fuqitë mbështesin bizneset e tyre – oligarkët rusë të mbështetur nga Kremlini dhe kompanitë kineze të mbështetura nga shteti – në mënyra që konsiderohen si kërcënim për tregtinë e lirë dhe balancat gjeopolitike. Prandaj, një ndryshim regjimi në Karakas shihet si një mënyrë për të frenuar zgjerimin e influencës së tyre në hemisferën perëndimore.
Flavio Qarri: Kush e ka pushtetin në Venezuelë, si është kjo faza tranzitore?
Denion Ndrenika: Siç e tha presidenti Donald Trump, këta e “qeverisin” dhe thonë se e qeverisin Venezuelën, pavarësisht se atje në në terren, gjykata supreme emëroi zëvendëspresidentin, për të drejtuar. Unë nuk e di se sa mund të zgjasë, si do të jenë organizimet e mëpasme, po besoj shumë që do të niset, unë besoj shumë që do të niset nga rivendosja e të drejtës së kompanive amerikane apo të kompanive të tjera perëndimore që kanë pasur asete të sekuestruara, veprimtari të sekuestruara prej Hugo Chavezit.
Pra besoj se pra nuk është thjesht çështje naftës, unë e shoh nga pikëpamja gjeostrategjike më shumë sesa nga nafta, sepse Shtetet e Bashkuara prodhojnë 20,1 milion fuçi nafte në ditë, ndërsa Venezuela prodhon rreth 1 milion. Pra paratë janë gati 1.17 miliardë Shtetet e Bashkuara, rreth 85 milionë në ditë që përfitojnë Venezuela. Pra nuk besoj se është çështje naftës.
Flavio Qarri: Pra nuk është vetëm për përfitim naftës.
Denion Ndrenika: Po, e rëndësishme është, që do të vazhdohet atje për të parë se deri kur kjo gjendje do t'i do të krijojë mundësi për zgjedhje apo për, po them për rivendosje të plotë të marrëdhënieve në nivel normal. Është e qartë dhe është e vërtetë që shumëkush mendon që ky është një dhunim i së drejtës ndërkombëtare, ky është një, kjo është një kapriço apo një kokëfortësi e presidentit Trump për të marrë rol protagonisti, por duhet të kujtoj që Shtetet e Bashkuara kanë juridiksion për të vepruar si në kësi rastesh jashtë territorit amerikan për subjekte apo individë që, siç e thashë, personojnë apo përbëjnë rrezik për sigurinë kombëtare. Dhe padyshim të futesh sipas pretendimeve apo akuzës paratë e narkotrafikut, narkoterrorizmit në të mirë të qëndrimit në pushtet, përdorimit politik, fitores ose jo të zgjedhjeve, kjo nuk është se ka, një pikëpyetje të madhe për të thënë që po, kjo është punë e mirë që është bërë. Ndërsa për të gjithë kundërshtarët është respekt i plotë që mendojnë ashtu, kjo nuk ka, nuk ka pse të na vijë keq. Në fund të fundit bota është e mendimeve të ndryshme. E rëndësishme është që nga pikëpamja gjeostrategjike Rusia dhe Kina të mbeten jashtë kësaj pjese të botës, të mos përbëjnë kërcënim as për tregtinë, që dua ta theksoj, nuk është e ndershme sepse biznesi, ne i dimë oligarkët në Rusi, kanë mbështetje të plotë nga Kremlini, apo Kina që gjithashtu mbështet në forma të ndryshme bizneset e saj. Pra duke pasur shtetin mbrapa ti mund të jesh një biznes jashtëzakonisht i fuqishëm.
Flavio Qarri: E kemi parë në Shqipëri këtë se si pasurohen dhe bëjnë super biznes me para shtetërore dhe me mbështetje shtetërore.
Denion Ndrenika: Flavio është e, është e qartë që çdo qeveri ëh mund të ketë, nuk po them pëlqyeshmëri për një biznes ose tjetër. Mua nuk më duket e drejtë që ti ta mbështesësh një biznes në kurrizin e biznesit tjetër, apo ta bësh një biznesmen, bie fjala, kompani holding më vete, t'i japësh karburantin e shtetit, pra t'ia shesësh karburantin si biznes shtetit, të krijosh hoteleri, turizëm, aeroporte, pra të bësh një biznes në përkrahje të plotë të të gjithë veprimtarisë tënde.
Se që do kesh, shiko më lejo të jap një rast. Halliburton i Dick Cheney-t në vitet më parë kur hyri në Irak, padyshim që pati, pati kritika dhe u tha që Dick Cheney bëri këtë edhe për interesat e biznesit. Por nuk besoj se një biznes amerikan apo i cilido qoftë sado i pëlqyeshëm të jetë nga qeveritë përkatëse, të jetë aq i fortë sa të vendosë politikat gjeostrategjike. Pra unë besoj shumë që cilado qoftë qeveria, nëse bizneset i mbështet në mënyrë të ndershme, pa bërë dallime, pse jo është e mirëseardhur se në fund të fundit në zona si ne, biznesi ka nevojë për ndihmë, por ndihma nuk mund të jepet as për tender as për prokurime publike.
Ndihma mund të jepet me lehtësimin e taksave, me nxitjen e bie fjala të sponsorizimeve në sport, në kulturë, në agjenci të ndryshme jo qeveritare, pra duke ulur taksat, duke përdorur atë ligjin e sponsorizimit. Pra në këtë kuadër, unë them që mbështetja nga një qeveri qoftë edhe nëse është një biznes i pëlqyeshëm mund të jetë e mirëseardhur, por kur ti i jep diçka në dorë biznesit dhe vë qeverisjen në funksion të biznesit, puna çalon dhe çalon shumë...