Gjykata në Paris shpall fajtorë 10 persona për cyber-bullizëm ndaj Brigitte Macron

Dhjetë persona janë shpallur fajtorë për cyber-bullizëm ndaj Brigitte Macron, bashkëshortes së presidentit francez Emmanuel Macron, nga një gjykatë në Paris.

Të pandehurit akuzoheshin se kishin përhapur pretendime të rreme mbi gjininë dhe seksualitetin e saj, si edhe kishin bërë komente keqdashëse lidhur me diferencën e moshës prej 24 vitesh mes çiftit presidencial.

Shumica e të akuzuarve u dënuan me burg me kusht deri në tetë muaj, ndërsa njëri prej tyre u dërgua menjëherë në burg për shkak se nuk u paraqit në seancë. Disa prej tyre patën edhe pezullim të llogarive në rrjetet sociale.

Gjykatësi deklaroi se tetë burra dhe dy gra kishin vepruar me një qëllim të qartë për të dëmtuar Brigitte Macron, duke publikuar komente fyese, poshtëruese dhe denigruese në internet. Dy prej të dënuarve të vetëquajturja gazetare e pavarur Natacha Rey dhe “parashikuesja” online Amandine Roy ishin shpallur fajtore për shpifje në vitin 2024, pasi kishin pretenduar se zonja e parë e Francës nuk kishte ekzistuar kurrë.

Ato kishin pohuar se vëllai i saj, Jean-Michel Trogneux, kishte ndryshuar gjini dhe kishte marrë emrin e saj. Më pas, ato u shpallën të pafajshme në apel, me argumentin se pretendimi për ndryshim gjinie nuk përbënte domosdoshmërisht një “sulm ndaj nderit”.

Çifti Macron e ka çuar tashmë këtë çështje në Gjykatën e Lartë të Apelit.

“Gjërat më të rëndësishme janë kurset parandaluese dhe pezullimi i disa prej llogarive të autorëve”, tha avokati i Brigitte Macron, Jean Ennochi, pas shpalljes së vendimit, sipas AFP.

Tiphaine Auzière, vajza e Brigitte Macron nga një martesë e mëparshme, deklaroi gjatë gjyqit se cyber-bullizmi kishte ndikuar negativisht në shëndetin dhe jetën e përditshme të nënës së saj. Ajo tha se e ëma është detyruar të jetë e kujdesshme në zgjedhjen e veshjes dhe qëndrimit, pasi e di se imazhi i saj përdoret për të ushqyer teori konspirative.

Sipas saj, edhe pse Brigitte Macron “ka mësuar të jetojë me këtë presion”, pasojat kanë qenë të rënda për nipërit dhe mbesat e saj, të cilët janë ngacmuar në shkollë.

Vendimi i së hënës në Francë shihet si pararendës i një procesi shumë më të madh gjyqësor në SHBA, ku familja Macron ka ngritur një padi për shpifje ndaj influencueses së djathtë Candace Owens, e cila ka përhapur teori konspirative mbi gjininë e zonjës së parë franceze.

Macronët pretendojnë se Owens ka injoruar çdo provë të besueshme që rrëzon këto akuza, duke u dhënë hapësirë teoricienëve të konspiracionit dhe shpifësve të njohur. Owens i ka përsëritur vazhdimisht këto pretendime në podcast-in dhe rrjetet e saj sociale, duke deklaruar në mars 2024 se do të vinte në lojë “tërë reputacionin e saj profesional” mbi bindjen se Brigitte Macron “është në fakt burrë”.

Fillimisht, çiftit presidencial iu këshillua të injoronte thashethemet online, pasi ndjekja ligjore do t’i amplifikonte ato. Por vitin e kaluar pati një ndryshim rrënjësor të qasjes, pasi sulmet online u konsideruan tepër të mëdha për t’u shpërfillur.

Një teori konspirative që pretendon se Brigitte Macron është një grua transgjinore qarkullon që prej zgjedhjes së Emmanuel Macron si president në vitin 2017.

Brigitte Macron e njohu bashkëshortin e saj të ardhshëm kur ajo ishte mësuese në shkollën e mesme ku ai studionte. Çifti u martua në vitin 2007, kur Emmanuel Macron ishte 29 vjeç dhe ajo në të pesëdhjetat e saj.