Nigeria në çerekfinale, por Osimhen çudit me sjelljen, sulmon Lookman-in
Nigeria ka siguruar kalimin në çerekfinalet e Kupës së Afrikës 2025, falë një paraqitjeje bindëse kundër Mozambikut, ku dyshja Ademola Lookman – Victor Osimhen ishte protagoniste absolute në fazën sulmuese. Lookman shërbeu dy asistime vendimtare për Osimhen, ndërsa vetë realizoi edhe një gol personal, duke kontribuar drejtpërdrejt në tre golat e ‘Super Eagles’.
Megjithatë, ajo që tërhoqi më shumë vëmendjen nuk ishte vetëm rezultati, por sjellja e papritur e Victor Osimhen. Në minutën e 47-të, me Nigerinë në avantazh të qartë 3-0, sulmuesi i Galatasaray-t humbi qetësinë gjatë përgatitjes për një goditje këndi, duke u përfshirë në një debat të ashpër me Lookman. Kamerat kapën Osimhen duke i drejtuar fjalë të ashpra shokut të skuadrës, duke theksuar se “është lojë ekipore”, pavarësisht faktit se pak minuta më parë Lookman i kishte dhuruar dy asistime për gol.
Situata u bë edhe më e çuditshme kur Osimhen iu drejtua stolit dhe i kërkoi zëvendësim trajnerit kombëtar, Chelle. Sulmuesi nigerian vazhdoi të shfaqte nervozizëm derisa, në minutën e 68-të, u zëvendësua me Simon. Ai u largua nga fusha në heshtje, duke i dhënë fund një episodi që la shije të hidhur, pavarësisht fitores dhe kualifikimit të Nigerisë.