Portreti i Maduros dhe Cilia Flores në gjykatë! Me uniforma burgu e këmbë të lidhur me zinxhirë
Nuk janë lejuar kamerat në gjyqin ndaj presidentit të rrëzuar të Venezuelës, Nikolas Maduro dhe bashkëshortes së tij. Ndërsa vizatimi i Jane Rosenberg tregon momentet nga kjo seancë sot (5 janar 2026) në Gjykatën Federale në Nju Jork. Nicolás Maduro në këmbë, ndërsa gruaja e tij, Cilia Flores e ulur pranë tij.
Të dy mbajnë kufje për të dëgjuar përkthimin e seancës dhe të dy mbajnë të njëjtat uniforma të burgut në ngjyrë blu.
Mediat shkruajnë se si Maduro dhe Cilia Flores në gjykatë nuk ishte me pranga në duar ndërsa në këmbë ishte i lidhur me zinxhirë.
Maduro, 63 vjeç, u deklarua i pafajshëm, për katër vepra penale, përfshirë akuzën për narko-terrorizëm, import të kokainës dhe posedim të armëve automatike dhe mjeteve shkatërruese.
;Jam i pafajshëm. Jam ende president i Republikës së Venezuelës dhe jam këtu si i rrëmbyer, jam kapur në shtëpinë time në Caracas, Venezuelë», deklaroi Nicolás Maduro para se të ndërpritej nga gjykatësi Alvin Hellerstein gjatë seancës paraprake.
"Më lejoni ta ndërpres – i tha gjykatësi – do të ketë një kohë dhe një vend për të diskutuar të gjitha këto. Avokati juaj mund të paraqesë kërkesat, por për tani dua vetëm një gjë: a jeni ju Nicolás Maduro Moros?"
"Po, unë jam Nicolás Maduro Moros», u përgjigj i akuzuari"
Edhe gruaja e Maduros, Cilia Flores, po ashtu u deklarua e pafajshme. Në seancën paraprake u shfaq me shenja të dukshme në fytyrë raportojnë gazetarët e CNN dhe NBC të pranishëm në sallë.
Sipas Mark Donnelly, avokati i Flores, ajo «ka pësuar lëndime të konsiderueshme gjatë rrëmbimit» dhe mund të ketë brinjë të thyer ose të çara, të cilat kërkojnë një ekzaminim të plotë radiografik. «Ka disa probleme mjekësore dhe shëndetësore që do të kërkojnë kujdes të veçantë», tha avokati gjatë seancës.
E gjithë seanca zgjati 30 minuta ndërsa seanca e radhës gjyqësore u caktua për 17 mars.
Maduro akuzohet se ka mbikëqyrur një rrjet të trafikut të kokainës që ka bashkëpunuar me grupe të dhunshme, përfshirë kartelin Sinaloa dhe Zetas të Meksikës, rebelët e FARC-ut të Kolumbisë dhe bandën venezuelase Tren de Aragua.
Irani dhe Kina kanë kërkuar lirimin e menjëhershëm të Maduro. Ministria e Jashtme e Kinës akuzoi SHBA-në për ‘shkelje të qartë të së drejtës ndërkombëtare’. Ndërkohë Shtëpia e Bardhë shpërndau një mesazh nga Departamenti i Shtetit që thotë: «KJO ËSHTË HEMISFERA JONË».