Delcy Rodriguez betohet si presidente e përkohshme e Venezuelës
Udhëheqësja e re e Venezuelës, Delcy Rodríguez, u betua si presidente e përkohshme, shkruan BBC.
Zv/presidentja e vendit, Delcy Rodriguez, u betua sot zyrtarisht si presidente e përkohshme në Asamblenë Kombëtare në Karakas.
Gjatë seancës, deputetët u panë duke brohoritur “Vamos Nico” [Forca Nico!”] në mbështetje të Maduron, raportoi agjencia e lajmeve AFP.
Asambleja duartrokiti dhe kur u tregua vendi bosh i bashkëshortes së Maduros, Cilia Flores.
Në mbledhje foli edhe djali i Maduros, i cili shprehu mbështetjen e tij për prindërit, duke thënë se ata “do të kthehen” në Venezuelë.
Ai gjithashtu ofroi “mbështetjen e pakushtëzuar” për Rodríguez.
“Mbështetuni tek unë. Mbështetuni tek familja ime,” i tha asaj.
Ndërkohë Rodriguez është zotuar të bashkëpunojë me Uashingtonin, sipas administratës Trump.
Gjatë një konference për median Trump shmangu një qëndrim armiqësor ndaj Rodríguez-it gjatë konferencës në Florida, ku tha se ajo i kishte thënë Sekretarit të Shtetit Marco Rubio: "Do të bëjmë ç't'ju nevojitet."
Më vonë, Trump i tha New York Post se nuk do të dërgonte trupa amerikane në Venezuelë nëse Rodríguez "bën atë që ne duam".
Gjyqi i Maduros
Ndërkohë presidenti i rrëzuar i Venezuelës, Nicolas Maduro doli sot para gjykatës Federale në Nju Jork ku u deklarua i pafajshëm ndaj akuzave për narko-terrorizëm, pasi Shtetet e Bashkuara e kapën në Karakas dhe e sollën në tokën amerikane.
Maduro, 63 vjeç, u deklarua i pafajshëm për katër vepra penale, përfshirë akuzën për narko-terrorizëm, import të kokainës dhe posedim të armëve automatike dhe mjeteve shkatërruese.
“Jam i pafajshëm. Nuk jam fajtor. Jam burrë i ndershëm. Ende jam president i vendit tim”, tha Maduro përmes një përkthyesi, para se të ndërpritej nga gjykatësi amerikan, Alvin Hellerstein.
SHBA-ja e ka konsideruar Maduron udhëheqës jolegjitim të Venezuelës që nga koha kur ai shpalli fitoren në zgjedhjet e vitit 2018, të cilat u shoqëruan me akuza për parregullsi të mëdha.
Maduro akuzohet se ka mbikëqyrur një rrjet të trafikut të kokainës që ka bashkëpunuar me grupe të dhunshme, përfshirë kartelin Sinaloa dhe Zetas të Meksikës, rebelët e FARC-ut të Kolumbisë dhe bandën venezuelase Tren de Aragua.