‘Fox News’ zbardh detaje: Gjykatësi i ndërpreu shpërthimin Maduros, nuk e la të fliste më tej

Nga Michael Ruiz dhe Maria Paronich, FOX NEWS

Nicolás Maduro, diktatori i rrëzuar i Venezuelës, i paditur në Shtetet e Bashkuara për akuza të rënda për trafik droge dhe armësh, mbërriti të hënën në mesditë në një gjykatë federale në Nju Jork për seancën e parë gjyqësore (arraignment), disa ditë pasi forcat amerikane e kapën atë brenda pallatit të tij presidencial.

Vetëm pak minuta pas fillimit të seancës, gjykatësi e ndërpreu Maduron kur ai u përpoq të vazhdonte të fliste pasi deklaroi pafajësinë.

“Jam i pafajshëm. Nuk jam fajtor. Jam një njeri i ndershëm. Unë jam ende presidenti i vendit tim,” i tha Maduro gjykatës, ndërsa gjykatësi e ndërpreu.

Teksa po largohej nga salla e gjyqit, një protestues i foli atij në spanjisht, duke nxitur një përgjigje në të njëjtën gjuhë, ku Maduro pretendoi se është një “president i rrëmbyer”.

Protestuesi, i cili u identifikua si Pedro Rojas, 33 vjeç, u tha gazetarëve se kishte qenë i burgosur në Venezuelë për katër muaj nën regjimin e Maduros.

I pandehuri u paraqit i veshur me rroba burgu ngjyrë bezhë, këpucë portokalli dhe një bluzë të zezë. Ai u ul pranë avokatit mbrojtës me bazë në Nju Jork, Barry Pollack, dhe mbajti shënime gjatë seancës rreth 30-minutëshe.

Gjykatësi Alvin Hellerstein u zotua se do të sigurojë një proces të drejtë.

Maduro hoqi dorë nga leximi zyrtar i katër akuzave ndaj tij: komplot për narkoterrorizëm, komplot për importimin e kokainës, posedim armësh automatike dhe pajisjesh shkatërruese, si dhe komplot për posedimin e armëve automatike dhe pajisjeve shkatërruese.

Ai i tha gjykatësit se do t’i lexonte vetë akuzat. Gjykatësi ia lexoi të drejtat dhe e pyeti për deklarimin. Maduro u deklarua i pafajshëm.

Bashkëshortja e tij, Cilia Flores, u arrestua gjatë bastisjes dhe u paraqit gjithashtu në gjykatë. Ashtu si burri i saj, ajo kishte qenë zyrtare e lartë në regjimin socialist të Venezuelës.

Ajo u deklarua e pafajshme rreth 10 minuta pas bashkëshortit.

“E pafajshme, plotësisht e pafajshme,” i tha ajo gjykatës.

Kur gjykatësi u tha se kishin të drejtë të kontaktonin përfaqësues të konsullatës venezuelase, të dy të pandehurit kërkuan ta ushtronin këtë të drejtë.

“Për më shumë se 25 vjet, udhëheqësit e Venezuelës kanë abuzuar me pozitat e tyre të besimit publik dhe kanë korruptuar institucione dikur legjitime për të importuar tonelata kokaine në Shtetet e Bashkuara,” shkruan prokurorët federalë në aktakuzën e përditësuar, të publikuar gjatë fundjavës.

Flores përballet me tri akuza: komplot për importimin e kokainës, posedim armësh automatike dhe pajisjesh shkatërruese, si dhe komplot për posedimin e tyre.

Çifti hoqi dorë nga e drejta për një gjykim të shpejtë deri në seancën e ardhshme, duke pritur një volum të madh provash.

Asnjëri prej tyre nuk i kërkoi gjykatësit caktimin e një garancie (bail). Të dy avokatët thanë se rezervojnë të drejtën për ta kërkuar atë në të ardhmen.

Sipas ekspertëve ligjorë, lirimi me kusht është shumë i pamundur.

Maduro po mbahet në të njëjtin burg federal në Brooklyn si i akuzuari për vrasje Luigi Mangione.

“Vite më parë, ai u padit në një gjykatë federale amerikane për narko-terrorizëm,” tha Royal Oakes, avokat dhe analist ligjor me bazë në Los Anxhelos.

Prokurorët federalë siguruan një akt-akuzë nga juria e madhe në vitin 2020. Më vonë, qeveria amerikane vendosi një shpërblim prej 50 milionë dollarësh për kapjen e tij, ndërsa presidenti Donald Trump i kërkonte të jepte dorëheqjen.

Zgjedhja e Gjykatës së Distriktit Jugor të Nju Jorkut për trajtimin e çështjes mund të ketë ndikim të madh në ecurinë e saj, tha Oakes.

Maduro dhe Cilia pritet të dalin sërish para gjykatës më 17 mars, në orën 11:00 sipas kohës lokale.