Belgjikë/ 6 muaj burg shqiptarit që vodhi 50 euro në shtëpinë e ministres belge
Një shqiptar 38-vjeçar është dënuar të hënën nga gjykata e Tongerenit me një dënim shtesë prej gjashtë muajsh burg për një vjedhje të kryer në banesën e ministres flamande Zuhal Demir në Genk. Ai u zbulua falë gjurmëve të ADN-së të gjetura në një kuti kursimesh, shkruajne mediat belge.
Vjedhja ndodhi më 7 janar 2023 në shtëpinë e ministres Zuhal Demir. Autori u ngjit mbi gardh dhe hyri në banesë përmes një dritareje. Ai kontrolloi të gjithë shtëpinë, por në fund u largua vetëm me 50 euro cash, të marra nga një kuti kursimesh.
Pikërisht një kuti kursimesh çoi në zbardhjen e rastit, pasi mbi të u gjetën gjurmë ADN-je të autorit. Burri ishte tashmë i njohur për policinë për vepra të kryera në janar dhe shkurt të vitit 2024, për të cilat ishte dënuar me tre vjet burg. Ai rezulton gjithashtu i njohur për autoritetet në Gjermani dhe Spanjë.
Prokurori në Tongeren theksoi rëndësinë e veprës dhe kërkoi dënim me burg. ‘Kur kryhet një vjedhje në banesën familjare, kjo shkakton një goditje të rëndë ndaj ndjenjës së sigurisë,’ u shpreh ai gjatë procesit.
I pandehuri ishte liruar me kushte në nëntor dhe ndërkohë ishte kthyer në Shqipëri. Duke qenë se ndaj tij ekziston një ndalim hyrjeje në Evropë, ai nuk ishte i pranishëm në gjykatë në fillim të dhjetorit, gjatë shqyrtimit të çështjes.
Avokatja e tij, znj. Lies Joris, kërkoi pezullim të dënimit ose përfshirjen e tij në dënimin e mëparshëm, duke argumentuar se bëhet fjalë për vepra të ngjashme.
‘Ai ka ardhur nga Shqipëria në Belgjikë si piktor në kërkim të punës. Ky plan dështoi. Këtu u shoqërua me njerëz të gabuar dhe kreu vjedhje. Ndërkohë, ai e ka rregulluar jetën e tij në Shqipëri. Nuk është në interes të askujt që ai të sillet nga Shqipëria në Belgjikë për një dënim shtesë,’ deklaroi avokatja, duke shtuar se sipas saj ishte tejkaluar edhe afati i arsyeshëm i procedurës.
Gjykatësi i Tongerenit vendosi se çështja ka ndjekur një rrjedhë normale dhe se afati i arsyeshëm nuk ishte tejkaluar. Ai theksoi gjithashtu se faktet janë tepër serioze për të dhënë pezullim të dënimit, por u pajtua me argumentin për ‘njësi qëllimi’ me veprat e mëparshme për të cilat i pandehuri ishte dënuar. Si rezultat, ai e dënoi shqiptarin me një dënim shtesë prej gjashtë muajsh burg.
Zuhal Demir nuk është paraqitur deri më sot si palë civile në këtë proces.