E kërkon Barcelona, por Manchester City nuk po e lëshon mbrojtësin
Barcelona po përballet me komplikime serioze në përpjekjet për të përforcuar repartin mbrojtës në merkaton e janarit. Një nga emrat që pëlqehet nga drejtuesit katalanas është Nathan Aké, por sipas raportimeve, Manchester City nuk ka gjasa ta lejojë mbrojtësin holandez të largohet në formë huazimi.
Trajneri aktual i Barcelonës, Hansi Flick, e ka pranuar hapur se skuadra ka nevojë për “edhe një lojtar” në mbrojtje, veçanërisht pas dëmtimit afatgjatë të Andreas Christensen, i cili do të mungojë për rreth katër muaj. Megjithatë, gjetja e një qendërmbrojtësi të përshtatshëm në mes të sezonit po rezulton e vështirë, për shkak të kufizimeve financiare dhe situatës së tregut.
Aktualisht, Barcelona ka vetëm pesë mbrojtës për të mbuluar katër pozicione: Jules Koundé, Eric García, Pau Cubarsí, Gerard Martín dhe Alejandro Balde. Situata bëhet edhe më delikate duke pasur parasysh faktin se Eric García shpesh aktivizohet në mesfushë, duke reduktuar alternativat reale në prapavijë.
Dëmtimi i Christensen i ofron klubit një lehtësim në limitin e pagave, deri në 80% të rrogës së tij për regjistrimin e një lojtari të ri, por ky rast duhet të njoftohet zyrtarisht në La Liga deri më 14 janar. Ndërkohë, rikthimi i Ronald Araujos pas pushimit për arsye të shëndetit mendor jep shpresë, por ende nuk ka një afat të qartë për kthimin e tij në ndeshje zyrtare.
Drejtori sportiv Deco preferon një zgjidhje me eksperiencë në formë huazimi deri në fund të sezonit dhe profili i Aké-s shihet si ideal: mbrojtës me këmbën e majtë dhe me eksperiencë të madhe në Premier League. Megjithatë, dëmtimet e Joško Gvardiol dhe Rúben Dias te Manchester City e bëjnë pothuajse të pamundur një largim të përkohshëm të holandezit, ndërsa klubi anglez nuk është i hapur për marrëveshje pa opsion blerjeje të përhershme.
Në këtë kontekst, Barcelona pritet të vazhdojë kërkimet për alternativa të tjera, ndërsa koha dhe kufizimet financiare e bëjnë merkaton e janarit edhe më sfiduese për katalanasit.