Shqipëria në ngërç/ Abilekaj: Stina e re e protestave të paralajmëruara, s’do të bjerë në vesh të shurdhër!
Situata politike në vend paraqitet e tensionuar, me opozitën që ka rinisur protestat dhe me sistemin e drejtësisë që përballet me sfida të mëdha. Në një klimë ku debati publik dominohet nga fati i imunitetit të zëvendëskryeministres Belinda Balluku dhe thirrjet e Partisë Demokratike për protesta masive, analisti dhe gazetari Enton Abilekaj sheh një ngërç të thellë institucional mes qeverisë dhe pushtetit gjyqësor.
I ftuar në edicionin e pasdites në Syri Tv, nën moderimin e Edvin Parrucës, Abilekaj shprehet se vendi ndodhet në një moment kritik ku qeveria ka marrë përsipër të sfidojë hapur pushtetin gjyqësor, përfshirë Prokurorinë e Posaçme (SPAK) dhe gjykatat.
“Në përgjithësi kemi një sfidë ndaj sistemit gjyqësor. Kemi jo vetëm sfidë në kuptimin e imunitetit, por edhe sfidë në kuptimin e propagandës. Ne pamë kryeministrin që e mbylli vitin duke sulmuar drejtësinë,” thekson ai, duke iu referuar qëndrimeve të kryeministrit ndaj dosjeve të profilit të lartë si ajo e inceneratorëve apo rruga Kardhiq-Delvinë.
Analisti argumenton se në këtë përplasje pushtetesh, ekzekutivi i udhëhequr nga kryeministri shfaqet si forca dominuese, pasi kontrollon si pushtetin legjislativ, ashtu edhe atë ekzekutiv. Kjo situatë, sipas tij, e vendos pushtetin gjyqësor, tashmë të dobësuar dhe të kritikuar, në një pozitë të vështirë përballë qeverisë.
Abilekaj thekson se kur një qeveri shmang kontrollin, siç shihet me refuzimin e komisioneve hetimore apo marrjen nën kontroll të institucioneve të pavarura, dhe kur instrumentet demokratike si vota janë kompromentuar, qytetarëve nuk u mbetet rrugë tjetër veçse dalja në rrugë. “Demokracia nuk është gjumë, është një luftë e përhershme për të mos lejuar askënd të zaptojë qoftë edhe një centimetër të së drejtës tënde,” përfundon ai, duke parashikuar se stina e re e protestave të paralajmëruara nuk do të bjerë në vesh të shurdhër.
Mendoj që ka një diçka që nuk shkon, ka një ngërç mes qeverisë dhe kushtetutës dhe pushtetit gjyqësor. Pra, qeveria ka marrë përsipër të sfidojë pushtetin gjyqësor, prokurorinë e SPAK-un, Prokurorinë e Posaçme dhe gjykatën që kanë marrë kërkesat që kanë marrë aty. Dhe sigurisht me një artificë, siç është ajo gjykata kushtetuese, por në përgjithësi kemi një sfidë ndaj sistemit gjyqësor. Kemi jo vetëm sfidë në kuptimin e imunitetit, por edhe sfidë në kuptimin e propagandës. Ne pamë kryeministrin që e mbylli vitin duke sulmuar drejtësinë, apo jo? Duke i rrëzuar të dyja dosjet kryesore që drejtësia nxori në dy muajt e fundit të vitit, të tunelin e Llogarasë dhe të Akshin. Kemi vërtet tani një përplasje dhe në këtë përplasje të dy pushteteve pushteti më i fortë praktikisht është pushteti i kryeministrit. Ai mund të parandalojë gjithçka, duke përdorur dhe parlamentin sepse ka dhe legjislativin dhe degën ekzekutive në kontroll. Kështu që pushteti gjyqësor i dobët, i kritikuar dhe i kritikueshëm siç është normalisht një pushtet në që duhet të jetë në demokraci, e ka shumë vështirë përballjen me pushtetin ekzekutiv dhe me kryeministrin. Prandaj faktori ndërkombëtar ka pasur një rol gjithmonë deri tani, që këtë ekuilibër ta krijojnë ata, këtë ekuilibër mes pushteteve, duke pasur parasysh forcën më të madhe që ka ekzekutivi nëpërmjet legjislativit.
Po në qoftë se kjo forcë nuk mjafton, atëherë duhet një kundërpeshë tjetër e cila nuk mund të jetë përveçse protestat. Nuk mund të jetë veçse publiku që reagon në mbështetje për të barazpeshuar pushtetet, sepse çdo barazpeshë, çdo peshë e prishur, çdo peshore e prishur mes pushteteve, sigurisht që sjell një problem në demokracinë. Dhe ne e dimë shumë mirë që kemi kohë që kemi probleme me demokracinë. Por ky është momenti që nuk duhet ta lejojmë sepse kemi një mundësi ku të kapemi. Kemi një pushtet i cili ka vendosur kohët e fundit që të ushtrojë pushtetin e vet, ashtu siç duhet, në mënyrë pothuajse të pavarur. Prandaj mendoj që ajo që po bëhet në shesh, po bëhej deri mbrëmë të paktën protesta, ajo që ka bërë Partia Demokratike me protestën dhe me aleatët e vet, duhet të shkojë deri te qytetarët, ta bëjnë qytetarët, ta marrin në dorë qytetarët, të dalin ata për të mbrojtur, për të këtë balancën e pushteteve dhe demokracinë me këtë rast.
Deri tani nuk duket se e kanë vëmendjen në këtë çështje, sigurisht është e vështirë që në vende si Shqipëria sidomos, në vendet ku zhvillimi ekonomik dhe të gjithë zhvillimet që derivojnë pas zhvillimit ekonomik janë me kursim, të merren me të drejtat demokratike dhe të kuptojnë që gjithçka buron aty, tek e drejtat demokratike, tek e drejtat politike, tek kontrolli ndaj qeverisë. Në qoftë se një qeveri nuk pranon të kontrollohet. Në qoftë se qeveria sfidon sot pushtetin gjyqësor. Dje kërcënoi Kontrollin e Lartë të Shtetit për t'i reduktuar kompetencat ose për ta shkrirë fare, sepse nuk e pëlqenin kontrollet. Kërkon të marrë çdo institucion e merr nën kontrollin e vet, siç mori avokatin e popullit. Nuk pranon asnjë komision të posaçëm hetimor nga opozita, sepse nuk do të kontrollohet. Nuk bën interpelanca. Atëherë ne kemi të bëjmë me një qeveri krejt të papërgjegjshme e cila ka frikë nga kontrolli. Për një arsye të caktuar, se në qoftë se do ishte një qeveri e ndershme nuk do të kishte frikë nga kontrolli. Pra është një qeveri që jo vetëm kontrollon pushtete, por i keqpërdor ato. Po i keqpërdor ato për të fshehur vjedhjet e veta, për të fshehur, për t'u shmangur kontrolleve ndaj veprimtarisë së saj, ndaj shkeljeve të veta. Dhe ky është momenti kur njerëzit duhet të ndërhyjnë direkt. Dhe ndërhyrja e drejtë është patjetër me protesta siç kanë bërë Rumania, siç kanë bërë Bullgaria dhe shtete të tjera, popuj të tjerë, të cilët dalin vazhdimisht në mbrojtje të demokracisë dhe ja kanë arritur ta mbrojnë atë në një farë mase.
Vlora na e tregoi se thamë, atë ditë që ndodhi që protesta ishte dëshmoi gjithçka. Ishte ajo sekreti i gjithçkaje që për qytetarët e Vlorës, të cilët kishin tre ditë pa ujë dhe ditën që dolën në protestë të nesërmen, u vu alarmi dhe filluan të trembeshin të gjithë institucionet. Dhe u bë dhe hetim. Filloi dhe hetimi sot. Pra, sekreti i gjithë asaj padrejtësie që po i bëhej atij qyteti, atyre qytetarëve ishte që të dilnin në protestë. Të merrnin në dorë fatin e tyre. Të mos lejonin më të talleshin, mos lejonin më pa kontroll, pa frikë qeveritarët lokalë dhe qendror dhe ata drejtuesit e këtyre ndërmarrjeve. Dhe çfarë ndodhi? Menjëherë ata reaguan. Menjëherë ne pamë se si u vu gjithçka në lëvizje, rri avioni me charter nga Turqia, erdhi një një copë metalike që duhet t'i vënë aty e të tjera e të tjera. Rama doli tre herë nëpër media menjëherë, ndërkohë që kishte tre ditë që heshte dhe nuk e injoronte faktin. Kështu që mendoj që nuk ka gjë që arrihet në paqe. Është ajo shprehje e famshme që kur fle në demokraci mund të gdhihesh në diktaturë.
Demokracia nuk është gjumë, është një luftë e përhershme për të mos lejuar asnjë, askënd të zaptojë qoftë edhe një centimetër të së drejtës tënde. Dhe njerëzit duhet ta kuptojnë këtë gjë. Njerëzit që ne i shohim se shpenzuan shumë pak për Vit të Ri. Njerëzit që i shohim që që shikojnë me raporte zyrtare këtu që vlera e parave që marrin, e pagave që marrin është më e ulët, gjithmonë e më e ulët për shkak të rritjes së çmimeve. Njerëzit që shohin se si kanë një qeveri që e dinë që u fut dorën në xhep, por nuk e kontrollojnë dot. Nuk mund të se s'kanë rrugë tjetër pastaj, sepse instrumentet i ka vjedhur qeveria për ta kontrolluar. Instrumentet për ta rrëzuar qeverinë siç është vota i ka vjedhur qeveria. Atëherë çfarë mbetet? Instrumenti i vetëm është protesta, është dalja në rrugë me duart në xhepa. Sepse i ke bosh, duart nuk ke më asnjë instrument dhe duhet të dalësh në rrugë patjetër për të mbrojtur të drejtën tënde. Ky është rasti që na dha Vlora dhe besoj që ky është rasti që ka ndodhur në Shqipëri në çdo sa herë shqiptarët janë zemëruar ëh, '91-shi, '97-ta e të tjera e të tjera. Ku prapë ishin vlonjatët kryesorë. Prandaj mendoj që kjo stinë e protestave që po thirret do jetë një stinë që nuk do të bie në vesh të shurdhët pavarësisht hezitimit paraprak të njerëzve.