La 5 ditë Vlorën pa ujë, shpërblehet Flauers Shoshi! Emërohet drejtor i UKT-së Tiranë
Pak ditë pas skandalit me krizën 5-ditore të ujit në Vlorë, teksa të gjithë prisnin shkarkimin e tij nga detyra, Flauers Shoshi shpërblehet nga qeveria Rama dhe emërohet drejtor i ri i Ujësjellës Kanalizime Tiranë (UKT).
Deri para marrjes së kësaj detyre, Shoshi ka shërbyer si kreu i Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve.
Shoshi zëvendëson në këtë detyrë ish-drejtorin Skerdi Drenova. Ky i fundit u largua nga ky post në ditët e fundit të vitit 2025. Nuk dihen ende zyrtarisht arsyet që çuan në largimin e tij.
Flauers Shoshi u bë i njohur për publikun gjatë krizës së ujit në Vlorë, ku në kulmin e protestave qytetare deklaroi se "as vetë nuk ishte larë" për ditë me radhë, pasi ndodhej në terren duke u marrë me problemin. Një deklaratë që nxiti reagime dhe u përjetua si simbolikë e paaftësisë apo e përkushtimit të tepërt, sipas këndvështrimeve të ndryshme.
Ndërkohë sipas raportimeve, në krye të AKUK është komanduar përkohësisht Elidjana Çelaj e cila ka drejtuar më parë Postën Shqiptare dhe ka shërbyer përkohësisht edhe si drejtoreshë e komanduar e Tatimeve.