Endrick prezantohet te Lyoni: Ancelotti më këshilloi të largohesha për të zhvilluar futbollin tim

Një javë pas seancës së tij të parë stërvitore, Endrick u prezantua zyrtarisht si lojtar i ri i Olympique Lyon. Sulmuesi brazilian do të luajë i huazuar në Francë deri në muajin qershor dhe, gjatë një konference të gjatë për shtyp, shpjegoi arsyet e zgjedhjes së tij, objektivat personale dhe rolin e Carlo Ancelottit në këtë vendim.

Endrick theksoi se kontaktet me Lyonin përbënin një moment shumë të rëndësishëm për të dhe familjen e tij. “Kur Lyoni më kontaktoi, e ndjeva se ishte rruga e duhur. Ishte e rëndësishme për mua, për bashkëshorten dhe për familjen. Koka dhe zemra ime janë këtu, në Lyon.”

Duke folur për gjashtë muajt e fundit te Real Madridi, Endrick i cilësoi si më të mirët e jetës së tij, një periudhë që i shërbeu për t’u pjekur si njeri dhe si futbollist. “Sot jam një person më i matur dhe më i përqendruar te puna”, shtoi ai.

Një rol të rëndësishëm në vendimin e tij pati edhe Carlo Ancelotti, me të cilin foli para transferimit: “Më tha të largohem dhe të zhvilloj futbollin tim, që të jem i lumtur. Këshillat e tij më prekën shumë”.

Sa i përket presionit dhe pritshmërive të mëdha, Endrick u shpreh i qetë, duke theksuar se është mësuar me to që nga Brazili. Objektivi i tij është i qartë: të ndihmojë Lyonin të fitojë trofe, të bëjë një sezon sa më të mirë në Ligue 1 dhe, përmes paraqitjeve të tij, të rikthehet sërish në kombëtaren braziliane.