Tirana nis revolucionin, Cortes Alfaro firmos për bardheblutë
Tirana ka vendosur të ndryshojë rrënjësisht faqe në pjesën e dytë të sezonit. Klubi kryeqytetas, më i rëndësishmi për nga trofetë në historinë e futbollit shqiptar, po lëviz me vendosmëri në merkato, me objektivin e qartë për të shmangur një katastrofë të mundshme si rënia nga kategoria dhe për të rikthyer stabilitetin sportiv.
Hapi i radhës në këtë proces rindërtimi është afrimi i Johan Enrique Cortes Alfaro, i cili është zyrtarisht lojtari më i ri i bardhebluve. Mbrojtësi 25-vjeçar, pas kryerjes së analizave mjekësore, ka hedhur firmën në kontratë, duke u bërë pjesë e projektit të ri të Tiranës. Klubi e ka prezantuar zyrtarisht përmes një postimi, duke i uruar mirëseardhjen dhe sukses në aventurën e tij të re.
Cortes Alfaro i është bashkuar menjëherë skuadrës në fushën stërvitore dhe është vendosur nën urdhrat e trajnerit Nuhiu, i cili po punon për të ndërtuar një ekip më konkurrues dhe më të fortë në çdo repart. Afrimi i tij shihet si një përforcim i rëndësishëm për mbrojtjen, repart që ka pasur nevojë për më shumë siguri dhe eksperiencë gjatë fazës së parë të kampionatit.
Tirana synon që, përmes merkatos së dimrit, të sjellë lojtarë që mund të japin menjëherë ndikim në fushë. Mesazhi i klubit është i qartë: pjesa e dytë e sezonit do të jetë krejtësisht ndryshe, me synimin për të rikthyer dinjitetin sportiv dhe për të mbajtur Tiranën aty ku i takon, mes elitës së futbollit shqiptar.