Juventusi, lëvizje për Chiesa-n, kontaktet e para për rikthimin e tij në Torino

Juventusi po lëviz konkretisht për Federico Chiesan. Nuk bëhet fjalë më vetëm për një ide apo sugjerim: drejtuesit bardhezi kanë nisur kontaktet me rrethin e lojtarit, i cili prej një viti e gjysmë është pjesë e Liverpool-it, për të kuptuar mundësinë e një rikthimi në Torino gjatë merkatos së janarit, me formulën e huazimit deri në fund të sezonit.

Në këtë moment, operacioni paraqitet i vështirë, pasi Liverpool-i nuk ka ndërmend ta lëshojë lojtarin, pavarësisht se Chiesa po luan pak. Nën drejtimin e Slot, ai ka pasur vetëm një paraqitje si titullar në Premier League dhe katërmbëdhjetë hyrje nga stoli, duke shënuar dy gola në total. Vetë Chiesa ka dëshirë të luajë më shumë dhe do të kthehej me kënaqësi në Itali, edhe për të rritur shanset për një thirrje të mundshme nga trajneri i kombëtares italiane, Gennaro Gattuso, në prag të Botërorit.

Luciano Spalletti, i cili ka nevojë të madhe për përforcime në repartin ofensiv, do të gjente te Chiesa një zëvendësues të denjë për Yildiz-in, si edhe një lojtar me më shumë eksperiencë për t’u mbështetur në sulm. Megjithatë, marrëveshja nuk është e lehtë për t’u realizuar. Liverpooli nuk dëshiron të heqë dorë nga Chiesa, veçanërisht tani që Mohamed Salah është i angazhuar me Egjiptin në Kupën e Afrikës, çka e bën të rëndësishme praninë e italianit në skuadër.

Përveçse nga Juventusi, Chiesa po ndiqet edhe nga klube të tjera italiane: emri i tij është përmendur si te Roma, ashtu edhe te Napoli.