Moratti i ashpër ndaj Inzaghit: Një imitim i shëmtuar i Mourinhos, u largua keq
Massimo Moratti nuk i ka kursyer kritikat ndaj Simone Inzaghi-t. Ish-presidenti i Interit ka folur pa doreza për trajnerin nga Piacenza, i cili verën e kaluar u largua nga zikaltrit pas finales së humbur të Ligës së Kampionëve, për të pranuar ofertën e Al Hilal në Arabinë Saudite.
“Kur u largua Simone Inzaghi, që për mua u largua keq, nuk më pëlqeu ajo që ndodhi”, ka deklaruar Moratti për Radio Kiss Kiss. “Ai e imitoi Mourinhon, por ishte një imitim i keq, sepse Mourinho kishte fituar ‘Tripletën’, ndërsa Simone jo”. Një deklaratë e fortë, që tregon zhgënjimin e ish-pronarit ndaj mënyrës së largimit të trajnerit dhe krahasimeve me epokën e artë të Interit.
Moratti ka zbuluar gjithashtu se cila do të kishte qenë zgjedhja e tij ideale për stolin zikaltër pas largimit të Inzaghit:
“Interin tim do t’ia kisha besuar Contes”. Megjithatë, ai ka vlerësuar punën e trajnerit aktual, duke e cilësuar vendimin e klubit si të zgjuar dhe të guximshëm:
“Zgjedhja e Chivu ishte inteligjente dhe e guximshme, sepse ai është shumë i aftë dhe ka gjetur ekuilibrin e duhur të skuadrës”.
Në fund, Moratti është ndalur edhe te lojtarët, duke shprehur dashurinë e tij për futbollin cilësor:
“Është kënaqësi të shohësh mënyrën se si lëviz Modric. Mes të rinjve admiroj Nico Paz të Comos, ka cilësi të jashtëzakonshme”.