SYRI TV/ Zvarriten punimet për ujësjellësin në Shkodër - Punimet në rrugë pengojnë qarkullimin

Punimet për ujësjellësin e qytetit në Shkodër kanë kthyer aksin nga 5-heronjtë deri tek rreth-rrotullimi i Dobraçit në një gangrenë për qytetarët. Gropat e hapura janë kthyer në shqetësim serioz ndërsa punimet aktualisht janë pezulluar.

Syri tv

Zvarritja e punimeve vijon të jetë një problem shqetësues në qytetin e Shkodrës. Punimet e papërfunduara nga ujësjellësi për shtrimin e tubacioneve nga 5-heronjtë deri tek rreth-rrotullimi i Dobraçit kanë krijuar probleme në lëvizje për drejtuesit e automjeteve. Gropat e hapura janë kthyer në një shqetësim serioz prej kohësh.

Në terren për momentin nuk po punohet, ndërsa reshjet e shiut vështirësojnë akoma më tepër lëvizjen, teksa gropat e hapura mbushen me ujë. Si rrjedhojë, krijohet edhe një trafik i rënduar përgjatë këtij aksi, si shkak i amortizimit të rrugës.

Për këtë kërkohet ndërhyrje emergjente nga institucionet përgjegjëse dhe mbyllja e gropave, si edhe përfundimi i punimeve. Kjo pasi bëhet fjalë për një aks mjaft të rëndësishëm që lidh zonën e Malësisë së Madhe me qytetin e Shkodrës.