Futi 40 të afërm në Parlament/ Gruaja e Maduros kontrollonte besnikërinë e gjyqtarëve dhe ishte figurë kyçe në trafikun e drogës

Nga Jennifer Renk, BILD

Ndërsa bota i ka sytë te diktatori i Venezuelës, Nicolás Maduro, ajo mbetet pothuajse në hije: Cilia Adela Flores de Maduro. Ashtu si bashkëshorti i saj, ajo u arrestua natën duke u gdhirë e shtuna gjatë një operacioni spektakolar të ushtrisë amerikane në Karakas. Aktualisht ajo po pret gjyqin në një burg në Brooklyn.

Kush është kjo grua – dhe për çfarë akuzohet?

Flores ka lindur në vitin 1956 në qytetin Tinaquillo, në shtetin Cojedes, në një fermë.

Që e vogël ajo u zhvendos me pesë vëllezërit e motrat në Karakas. Në moshën 32-vjeçare ajo përfundoi studimet për drejtësi – diplomë që do ta çonte drejt krahëve të Maduros.

Flores dhe Maduro u njohën në vitet 1990. Ajo ishte avokate e ish-presidentit të Venezuelës, Hugo Chávez; Maduro ishte bashkëpunëtori i tij i ngushtë dhe truprojë personale. Ajo i kishte shkelur syrin, ka treguar një herë Maduro për njohjen e tyre.

Martesa vjen vetëm në korrik 2013, pak pasi Maduro merr detyrën si president. Fëmijë të përbashkët nuk kanë. Flores ka tre djem nga martesa e parë, Maduro një djalë.

Prej më shumë se 30 vitesh, ata janë janë çift. Që nga 3 janari, kjo është një dashuri pas hekurave amerikane.

Një Zonjë e Parë që buzëqesh pranë bashkëshortit dhe kryen vizita formale në shkolla apo azile pleqsh – këtë rol Flores nuk e pati kurrë. Ajo donte më shumë. Shumë më shumë.

Ajo ishte një nga figurat më të fuqishme dhe më besnike brenda regjimit venezuelas – arsye kjo se pse nuk quhet Zonjë e Parë, por “Primera Combatiente” (Luftëtarja e Parë).

Ngjitja politike e Flores nis në vitet ‘90. Si avokate kryesore, ajo mbron Hugo Chávezin pasi ky dështoi në tentativën për grusht shteti në vitin 1992.

Flores e nxori atë nga burgu dhe siguroi faljen e tij në vitin 1994 nga presidenti i ri Rafael Caldera.

Në vitin 2006 vjen hapi tjetër madhor: Flores bëhet presidentja e parë femër e Parlamentit të Venezuelës, duke e marrë postin – rastësi apo jo – nga Nicolás Maduro. Ai bëhet ministër i Jashtëm. Gjatë kësaj periudhe, Flores fiton famë edhe për nepotizëm: sipas gazetës “Tal Cual”, të paktën 16 të afërm të saj morën poste në Parlament; “Vanity Fair” flet madje për 40.

Në vitin 2012, Flores bëhet krye-avokate e qeverisë. Ekspertët e përshkruajnë shpesh si “trurin” pas shumë manovrave juridike dhe institucionale të Maduron. Ajo jep dorëheqjen në mars 2013, pak para se Maduro të bëhet president. Por kjo nuk e dobëson aspak fuqinë e saj.

“Nicolás është fytyra, por Cilia është grushti. Asgjë me rëndësi nuk ndodh në Pallatin Miraflores pa miratimin e saj. Është ajo që kontrollon besnikërinë e gjyqtarëve”, citon “Miami Herald” në vitin 2017 një ish-zyrtar të lartë të shërbimit sekret venezuelas.

Pas fitores së opozitës në zgjedhjet e vitit 2015, Flores rikthehet si deputete e thjeshtë. Ajo shfaqet edhe në televizion me emisionin “Con Cilia en Familia”, ku viziton familje dhe paraqitet si figurë popullore. Kritikët e shohin këtë si propagandë. Në vitin 2017 ajo hyn në Asamblenë Kushtetuese, organ i krijuar nga bashkëshorti i saj, dhe e përdor atë për t’u mbyllur gojën kundërshtarëve politikë.

Në vitin 2021 ajo bëhet sërish deputete e zakonshme – deri në arrestimin nga SHBA më 3 janar.

Organizatat e të drejtave të njeriut dhe hetues të OKB-së thonë se regjimi i Maduros është përgjegjës për vrasje jashtëgjyqësore, arrestime arbitrare dhe përndjekje politike. Kritikët e akuzojnë gjithashtu Maduron se ka përkeqësuar krizën humanitare duke bllokuar ndihmat ndërkombëtare. Dhe gjithmonë në qendër të këtyre akuzave: Cilia Flores.

“Ajo nuk ishte kurrë Zonjë e Parë. Ajo ishte bashkë-sundimtare. Në dosjet e DEA-s ajo nuk figuron si bashkëshorte, por si figurë kyçe e rrjeteve financiare të regjimit”, deklaronte në vitin 2020 një ish-zyrtar i lartë i DEA-s.

Autoritetet amerikane e konsiderojnë Flores një aktore qendrore të një rrjeti ndërkombëtar të trafikut të drogës. Ajo ndodhet prej vitesh në listat e sanksioneve të vendeve perëndimore. Tani është zyrtarisht e akuzuar në SHBA.

Akuzat: trafik droge, financim i terrorizmit dhe posedim armësh.