Zhupa: 35 vjetori i Rilindjes Demokratike, dita për të rikujtuar rolin jetik të medias në ruajtjen e demokracisë
Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ka përcjellë një mesazh me rastin e 35-vjetorit të gazetës “Rilindja Demokratike”, duke theksuar rolin jetik të medias së lirë në ruajtjen e demokracisë.
Në një postim në rrjetet sociale, Zhupa citon Thomas Jefferson: “Liria jonë varet nga liria e mediave”, duke nënvizuar se pa media të pavarura nuk mund të ketë shoqëri të lirë dhe qytetarë të ndërgjegjshëm.
Ajo e cilëson “Rilindjen Demokratike” si gazetën e parë të fjalës së lirë në Shqipëri, e cila ka luajtur një rol të rëndësishëm historik në proceset demokratike të vendit. Sipas Zhupës, kontributi i kësaj gazete e bën atë pjesë të pandashme të historisë së medias shqiptare.
Deputetja thekson se sot, më shumë se kurrë, Shqipëria ka nevojë për media që i shërbejnë së vërtetës, mirëinformimit dhe vetëdijesimit qytetar, duke shtuar se vetëm qytetarët e informuar janë në gjendje të mbrojnë lirinë dhe demokracinë.
Postimi i plotë:
“Liria jonë varet nga liria e mediave” Thomas Jeferson!
Gëzuar ditën e shtypit të lirë, Gëzuar 35 vjetorin e RD, gazeta e parë e fjalës së lirë.
Me kontributet e saj për lirinë Rilindja Demokratike ka përherë një vend të veçantë në historinë e medias dhe të demokracisë shqiptare.
Sot Shqipëria ka nevojë më shumë se kurrë për media që i shërbejnë të vërtetës, mirëinformimit dhe vetëdijësimit të njerëzve.
Vetëm qytetarët e mirëinformuar mund të ruajnë dhe të luftojnë për lirinë dhe demokracinë.