Incidenti në protestë, Lapaj përfundon te Trauma
Ndërhyrja e forcave të policisë për heqjen e tendës së ngritur në sheshin para kryeministrisë, është shoqëruar me tensione mes protestuesve.
Policia ka marrë me automjet karriget, batanijet dhe disa soba më gaz që shërbenin për t’u ngrohur aktivistët, të cilët qëndronin para godinës së Kryeministrisë. Gjatë ndërhyrjes është lënduar edhe kreu i ‘Shqipëria Bëhet’, Adriatik Lapaj. Dyshohet se Lapajt është lënduar në kokë nga një prej bombolave të gazit gjatë aksionit të policisë.
Aktivistët dhe policia kanë njoftuar ambulancën, e cila e ka transportuar atë me urgjencë në spital për të marrë ndihmën e parë.
Aktivistë të Shqipëria Bëhet thanë se disa protestues që ishin para kryeministrisë janë shoqëruar nga policia. Mes aktivistëve dhe policisë ka pasur shpesh herë përplasje lidhur me vendosjen e çadrave dhe sendeve të tjera në sheshin kryesor para godinës qeveritare. Disa herë policia ka hequr nga sheshi çadrat dhe gjeneratorët që përdoreshin për energji dhe ngrohje nga protestuesit.
Paraditen e së dielës, “Shqipëria bëhet” zhvilloi tubimin e radhës ku nuk munguan tensionet dhe përplasjes me forcat e rendit.