Sulm rus mbi Kiev/ Shënohen viktimat e para civile për këtë vit
Autoritetet ukrainase njoftuan se një sulm ajror rus gjatë natës mbi Kievin dhe rrethinat e tij u ka marrë jetën dy personave. Këto janë vdekjet e para të raportuara nga sulmet ruse në kryeqytetin e Ukrainës për vitin 2026.
Shërbimi Shtetëror i Emergjencave të Ukrainës bëri me dije se nga goditja u përfshi nga flakët një institucion mjekësor në lagjen Obolonskyi, në veri të Kievit. Zjarri ra në një repart ku kishte pacientë të shtruar. Pas shuarjes së flakëve, ekipet e kërkim-shpëtimit gjetën trupin e pajetë të një personi brenda ndërtesës.
Nga ky sulm mbeti e plagosur edhe një grua, ndërsa 25 persona të tjerë u evakuuan me urgjencë nga vendngjarja.
Sulmet ruse nuk u ndalën vetëm në qytet, por prekën edhe qyteza e fshatra në mbarë rajonin e Kievit. Guvernatori Mykola Kalashnyk njoftoi se një civil u vra në rrethin e Fastiv, në jugperëndim të kryeqytetit.
Sipas guvernatorit, raketat dhe dronët rusë dëmtuan shtëpi banimi dhe infrastrukturë kritike, duke lënë disa zona të rajonit pa energji elektrike.
Deri tani nuk ka pasur asnjë koment zyrtar nga Moska. Edhe pse të dyja palët mohojnë shënjestrimin e civilëve, Ukraina akuzon vazhdimisht Rusinë se godet qëllimisht zonat e banuara dhe infrastrukturën civile.
Ky sulm vjen në një kohë kur lufta po mbush pothuajse katër vjet, me Kievin që mbetet një shënjestër e rregullt e raketave dhe dronëve rusë.