‘Leximi’ shqiptar i arrestimit të Maduros: për diktatorët asnjë mëshirë

Diktaturat në botë dhe Maduro

Në mënyrën më të pritshme dhe më të natyrshme, arrestimi i diktatorit venezuelian nga administrata Trump provokon reagime nga një cep në tjetrin të planetit. Këto reagime nuk duhen parë të shkëputura nga realiteti lokal i çdo vendi që reagon.

Kur shikon regjimet diktatoriale si Rusia, Kina, Irani apo Koreja e Veriut të mbajnë të njëjtin refren se në Venezuelë u shkel e drejta ndërkombëtare, sigurisht këtë lloj reagimi nuk mund ta kuptosh ndryshe veçse si një frikë edhe për vetë diktatorët e këtyre vendeve, të cilët mund të pësojnë të njëjtin fat si Maduro, të rrëzohen me dhunë. Qoftë që kjo shembje e dhunshme e një pushteti të dhunshëm të vijë nga një ndërhyrje e jashtme apo nga një revolucion i brendshëm, pak rëndësi ka zanafilla: frika po ajo mbetet, ç’mund t’u ndodhë të tjerëve.

Frikë e gdhendur si në mermer në tragjedinë e Eskilit, “Agamemnoni”, ku shkruhet: “kush udhëheq me forcën e shpatës, nga shpata vdes po ashtu”. 

Është shumë ironike të dëgjosh pushtetin rus të shqetësohet për respektin e së drejtës ndërkombëtare pas tragjedisë që ai ka shkaktuar në Ukrainë. Po aq cinikë tregohen edhe kinezët, kur shkelin çdo ditë me këmbë të drejtën ndërkombëtare në ngushticën e Formozës apo në Detin e Kinës Jugore, pa folur për Iranin dhe Korenë e Veriut, që e injorojnë në mënyrë totale të drejtën ndërkombëtare që ua pengon zhvillimin e armëve bërthamore.

Putin, Xi Jinping, ajatollah Khamenei apo Kim Jong-un reagojnë jo në emër të së drejtës ndërkombëtare, por të së drejtës së tyre për pandëshkueshmëri, sepse shohin me tmerr te rasti i Maduros një fat të ngjashëm që mund t’u ndodhë edhe atyre vetë, qoftë si pasojë e një sulmi të jashtëm (Irani), qoftë si pasojë e një kryengritjeje të brendshme në të katër diktaturat më të mëdha në botë.

Rama dhe Maduro

Është ky skenar të cilit i frikësohet seriozisht edhe Edi Rama në Shqipëri, prandaj ai ka preferuar këto ditë të qepë gojën dhe as të mos e dënojë, as ta mbështesë mënyrën sesi u rrëzua Maduro në Venezuelë. Për fat të keq të udhëheqësit shqiptar, ngjashmëritë me regjimin e Maduros janë të jashtëzakonshme.

Duke filluar që nga emri, të cilin ish-ambasadori Agim Nesho ishte i pari që e ktheu në “Ramaduro”, një pseudonim i tmerrshëm që u adoptua menjëherë nga një pjesë e shtypit konservator amerikan. Një analogji në emër që bazohet në ngjashmëri në metoda, të vëna po ashtu në dukje nga mediat konservatore amerikane, të cilat nënvizojnë se shembëlltyra shqiptare e Maduros mbahet po ashtu në pushtet nga paratë e pista të drogës që trafikohet në Perëndim, e që, ashtu si në SHBA, vret njerëz.

Më keq akoma për Ramën, këtu nuk bëhet fjalë vetëm për një narrativë keqdashëse me prejardhje nga gojët e liga të opozitës shqiptare apo të “kazanit” mediatik amerikan, siç përpiqet ta paraqesë rrethi i tij, por edhe për rezoluta tepër zyrtare të institucioneve nga më të respektuarat në botë, si organizatat e partive të djathta, pa përmendur raportet nga BE-ja, nga Shteti amerikan, OSBE-ja, Parlamenti Europian dhe Këshilli i Europës. Në këto rezoluta bëhet një lidhje e qartë mes parave nga trafiku i drogës dhe blerjes së zgjedhjeve në Shqipëri.

Por, përtej emrit, drogës dhe manipulimit të zgjedhjeve, Rama dhe Maduro kanë të përbashkët edhe provokimin e armiqësisë së presidentit Donald Trump. Rama për shkak të aleancës së tij “vëllazërore” me armikun personal të Trump, klanin Soros, ndërsa Maduro për shkak të një sulmi personal që ky i bëri presidentit Trump më 2019.

Gjatë mandatit të parë të Donald Trump, pati në Venezuelë një rebelim të një grupi ushtarakësh kundër Nicolas Maduros, të udhëhequr nga vetë shefi i shërbimeve sekrete të Maduros, Cristopher Figuera. Por “puçi” i 30 prillit 2019 për ta rrëzuar Maduron dështoi; gjashtë ushtarakë u arrestuan dhe Figuera u arratis në Kolumbi. Nicolas Maduro drejtoi menjëherë gishtin nga Donald Trump, duke e akuzuar se ishte ai prapa tentativës së puçit.

Që nga ai moment, administrata e Donald Trump e shpalli Maduron armik të SHBA-ve dhe, pak muaj më vonë, në mars 2020, u lëshua një urdhër-arrest amerikan kundër Maduros si narkotrafikant, madje duke premtuar 15 milionë dollarë për kapjen e tij. Kur Trump u rikthye në pushtet në janar 2025, shpërblimi për kapjen e Maduros u rrit në 25 milionë dollarë dhe, në vjeshtën e kaluar, kjo shumë arriti në 50 milionë dollarë.

Ndaj është shumë e rrezikshme, në aspektin personal, për këdo që provokon inatin e Donald Trump — një mesazh që u ripërsërit nga Marco Rubio në konferencën për shtyp pas kapjes së Maduros.
Në këto kushte, është e natyrshme që opozita në Shqipëri dhe, përtej saj, një numër i madh shqiptarësh të jenë të lumtur me atë që i ndodhi Maduros. Për shqiptarët, kjo jep një mesazh subliminal ndaj çdo lideri antipopullor në botë që e kujton veten të përjetshëm. Njëkohësisht, mbështetja ndaj operacionit të suksesshëm amerikan për rrëzimin e Maduros është edhe shprehje e një vuajtjeje kolektive nën regjimin më të egër komunist të Europës.

Një rrëzim i diktaturës së Enver Hoxhës me një ndërhyrje nga jashtë do të ishte mirëpritur krahëhapur, ndonëse ai regjim u shemb si rezultat i një kryengritjeje nga brenda. Nga ana tjetër, është po aq e natyrshme që ata që e mbrojnë Edi Ramën për interesa klienteliste, por edhe për nostalgji të së kaluarës, të reagojnë në mënyrë të kundërt, domethënë të thonë se operacioni i Trump-it në Venezuelë ishte ilegal, ose se ajo që ndodhi atje nuk ka lidhje fare me Shqipërinë.

Qëndrimi ekuivok i vendeve perëndimore

Nëse leximi i diktaturave është kundër ndërhyrjes që ndodhi në Venezuelë dhe ai i shqiptarëve është pro, më i nuancuar shfaqet qëndrimi i shteteve perëndimore, me shembullin që jep Emmanuel Macron — “as mish, as peshk” — i ndjekur nga Meloni, Starmer apo Merz.
Nëse perëndimorët shfaqen si mirënjohës ndaj Donald Trump që çliroi jo vetëm venezuelianët, por edhe mbarë botën nga një diktator që ushqente trafikun ndërkombëtar të kokainës, në të njëjtën kohë ata shqetësohen se mos kjo metodë amerikane shfrytëzohet nga vetë diktaturat me fuqi të madhe ushtarake, si Rusia apo Kina, për të zhdukur udhëheqës të shteteve që ato duan t’i nënshtronin, si Rusia me Ukrainën apo Kina me Tajvanin.

Prandaj, në kancelaritë perëndimore evitohet sa është e mundur debati mbi ç’ka ndodhur, për t’u përqendruar te e ardhmja dhe te nevoja që në Venezuelë të ketë zgjedhje demokratike — e njëjta kërkesë që ka edhe Trump për Ukrainën.