Ndërron jetë Eva Schloss, e mbijetuara e Auschwitzit dhe gjysmëmotra e Anne Frankut
Mbreti Çarls i Britanisë i ka bërë homazhe Eva Schloss, një të mbijetuar të Auschwitzit dhe gjysmë-motër e Anne Frank, e cila vdiq në moshën 97-vjeçare.
Schloss ishte bashkëthemeluese dhe presidente nderi e Fondacionit Anne Frank, patronazhere e të cilit është Mbretëresha Camilla, raportoi sot BBC.
Schloss dhe familja e saj u dëbuan nga shtëpia e tyre në Austri në vitet 1940. Ata jetuan si refugjatë në Holandë përpara se të kapeshin dhe të dërgoheshin në kampin famëkeq të përqendrimit të Auschwitzit .
Në një postim në rrjetet sociale, Mbreti Charles shkroi: "Unë dhe gruaja ime jemi thellësisht të trishtuar nga lajmi i vdekjes së Eva Schloss".
“Është e pamundur të kuptohen tmerret që ajo përjetoi si një grua e re, megjithatë ajo ia kushtoi pjesën tjetër të jetës së saj kapërcimit të urrejtjes dhe paragjykimeve, promovimit të mirësisë, guximit, mirëkuptimit dhe qëndrueshmërisë përmes punës së saj të palodhur për Fondacionin Ana Frank në Mbretërinë e Bashkuar dhe mësimdhënies rreth Holokaustit në të gjithë botën”, shkroi ai.
"Ne të dy jemi të privilegjuar dhe krenarë që e kemi njohur dhe e vlerësojmë thellësisht", shkroi mbreti.
Kur Schloss dhe familja e saj u çliruan nga ushtria sovjetike në janar të vitit 1945, ajo dhe nëna e saj, Elfriede Frank, mezi ishin gjallë. Vëllai dhe babai i saj kishin vdekur në kamp.
Elfriede, e njohur si Fritzi, e cila u kthye në Amsterdam, u martua me Otto Frankun, babanë e Anne Frankut, e cila gjithashtu arriti të mbijetonte në kampet naziste.
Gjatë 40 viteve të fundit, Schloss ia ka kushtuar jetën e saj përpjekjeve për të parandaluar përsëritjen e historisë.Si bashkëthemeluese e Fondacionit Ana Frank në Britaninë e Madhe, ajo e mbajti gjallë kujtimin e Ana Frankut dhe i edukoi njerëzit rreth Holokaustit.
“Ditari i Ana Frankut”, një rrëfim i drejtpërdrejtë i jetës hebreje nën pushtimin nazist, është shitur në më shumë se 30 milionë kopje, është përkthyer në 70 gjuhë dhe është libër i detyrueshëm për t’u lexuar në shkollat anembanë botës.
Schloss udhëtoi shpesh në Evropë, duke folur me të rinjtë dhe veçanërisht duke përhapur mesazhin se nuk duhet të ushqejmë urrejtje.
"Kam punuar shumë, shumë fort për të ndryshuar qëndrimet e njerëzve", i tha Schloss BBC-së në qershor 2021.
"Çdo person që e bind të mos jetë racist është një gjë pozitive", tha ajo.
Schloss u zhvendos në Londër në vitin 1951 për të studiuar fotografi. Atje ajo takoi bashkëshortin e saj, Zvi Schloss, një hebre gjerman që kishte ikur në Palestinë gjatë luftës kur babai i tij ishte i burgosur në kampin e përqendrimit Dachau.
Çifti u vendos në Londër dhe u bë shtetas britanikë.
Burri i saj vdiq në Londër në vitin 2016. Ata lanë pas vajzat e tyre, dhëndrin dhe nipërit e mbesat, tha Fondacioni.