Gjermanët ende mbajnë rreth 12 miliardë marka gjermane
Qytetarët e Gjermanisë ende posedojnë rreth 12 miliardë marka gjermane, nga të cilat 5,6 miliardë janë në kartëmonedha dhe rreth 6,5 miliardë në monedha, ka njoftuar zëdhënësi i Bankës Qendrore të Gjermanisë, Uve Dejert.
Ai ka deklaruar për Agjencinë Evangelike të Lajmeve se është vërejtur edhe një trend i shitjes së koleksioneve të monedhave.
“Duket se koleksionistët e kanë kuptuar se vlera e koleksioneve të tyre nuk do të rritet më, ndaj kanë vendosur t’i kthejnë në para koleksionet e tyre numizmatike”, ka thënë Dejert, transmeton Hina.
Ai shtoi se ka edhe përjashtime, pasi çmimi i monedhave prej pesë markash, të cilat janë hedhur në qarkullim nga viti 1953 deri në vitin 1971, është vazhdimisht në rritje për shkak të përmbajtjes së lartë të argjendit, çka i bën ato ende të kërkuara në tregjet numizmatike.
Një nga arsyet pse një sasi kaq e madhe markash nuk është këmbyer ende është fakti se shumë prej tyre ndodhen jashtë Gjermanisë, ku këmbimi në euro nuk është më i thjeshtë. “Por ka edhe arsye të tjera, emocionale. Shumë njerëz, sidomos qytetarët më të moshuar, markën e lidhin me rimëkëmbjen ekonomike pas luftës dhe me mirëqenien”, ka thënë Dejert.
Psikologu ekonomik Stefan Trautman nga Instituti i Shkencave Ekonomike “Alfred Veber” në Hajdelberg vlerëson se fakti që ende ka kaq shumë marka në monedha dhe kartëmonedha shpjegohet me besimin që gjermanët kanë ndaj parasë së gatshme.
“Në Gjermani njerëzit ende besojnë te paraja e gatshme dhe kështu ndodh lehtë që shuma të mëdha parash të harrohen diku”, shprehet Trautman.
Megjithatë, të gjithë ata që ende posedojnë marka nuk kanë arsye për shqetësim, pasi Gjermania është një nga vendet e rralla të eurozonës ku nuk ka afat kohor për këmbimin e markave në euro, ndërsa kursi i këmbimit mbetet i pandryshuar: 1 euro = 1,95 marka gjermane.