Premier League/ Chelsea i bën nder Arsenalit, ndal Manchester Cityn

Manchester City ka pësuar një gol të vonshëm për të lënë dy pikë në përballjen ndaj Chesleat, në kuadër të kryederbit së xhiros të 20-të në Premier League.

“Qytetarët” ishin në epërsi deri në kohën shtesë, por rezultati përfundimtar rezultoi të jetë 1-1.

Chelsea kishte rastin e parë në ndeshje përmes talentit Estaevao, por goditja e këtij të fundit u bllokua nga mbrojtësi.

Pas kësaj, City goditi dy herë shtyllën përmes Phil Foden dhe Erling Haaland duke iu afruar shumë golit.

Sidoqoftë, ishte mesfushori Tijjani Reijnders që shënoi një supergol për t’i dhënë epërsinë Cityt (42’).

Chelsea pastaj provoi me Pedro Neton, që kishte një rast shënimi nga afërsia megjithatë dështoi ta finalizonte.

Heroi i Chelseat rezultoi të jetë Enzo Fernandes që realizoi një gol të bukur për t’i dhënë “Bluve” një pikë në “Etihad”.

Pas këtij barazimi, City renditet në vendin e dytë me 42 pikë, gjashtë më pak se Arsenali.