Kush është Cilia Flores, gruaja që qëndroi në hije, por në zemër të pushtetit të Venezuelës

Cilia Flores, bashkëshortja e Nicolás Maduro-s, është një nga figurat më të diskutueshme të politikës venezuelane.

Me një karrierë të gjatë brenda institucioneve shtetërore dhe me ndikim të drejtpërdrejtë në vendimmarrjen politike, ajo është përshkruar shpesh nga mediat ndërkombëtare si e fshehtë, dinake, e pamëshirshme dhe thellësisht e prirur ndaj nepotizmit. Së fundmi, emri i saj lidhet me zhvillime dramatike, pasi së bashku me Maduron u ndalua dhe u transferua në Shtetet e Bashkuara, ku pritet të përballet me drejtësinë për akuza të rënda korrupsioni dhe trafiku narkotikësh.

E lindur në vitin 1956 (sipas disa burimeve në 1953), Cilia Flores erdhi në jetë në Tinaco, në kushte të varfra, si më e vogla e gjashtë fëmijëve. Familja u zhvendos herët në Caracas, ku ajo u rrit në lagjen punëtore Catia. U martua që në rini me Walter Gavidia, një polic dhe dashurinë e saj të shkollës së mesme, me të cilin pati tre djem. Paralelisht, ndoqi studimet për Juridik dhe u diplomua në Universidad Santa María gjatë viteve ’80.

Në rininë e saj, Flores nuk kishte interes për politikën dhe as nuk votonte. Vetë ajo ka deklaruar se u ndërgjegjësua politikisht vetëm pas trazirave të dhunshme të vitit 1989 në Venezuelë. Një pikë kthese në jetën e saj ishte viti 1992, kur u përfshi në mbrojtjen ligjore të Hugo Chávez-it, i burgosur pas tentativës për grusht shteti. Edhe pse roli kryesor i mbrojtjes iu atribua avokatit Javier Elechiguerra, Flores u bë pjesë e rrethit të ngushtë chavist dhe përjetoi edhe presion nga autoritetet e kohës.

Gjatë kësaj periudhe, ajo u njoh me Nicolás Maduro-n, atëherë lider sindikal dhe këshilltar i Chávez-it. Të dy ndodheshin në proces divorci dhe, me kalimin e viteve, lidhja e tyre u forcua, duke u shndërruar në partneritet politik dhe personal. Flores u divorcua në fillim të viteve ’90 dhe u martua me Maduron në korrik të vitit 2013.

Në planin politik, Cilia Flores u ngjit shpejt. Ajo u zgjodh deputete në vitin 2000 dhe në vitin 2007 u bë gruaja e parë presidente e Kuvendit Kombëtar në historinë e Venezuelës. Mandati i saj u shënua nga përplasje të ashpra me opozitën, përçmim ndaj shtetit ligjor dhe mbështetje për reforma që forcuan pushtetin e Hugo Chávez-it, përfshirë heqjen e kufizimit të mandateve presidenciale.

Një nga kritikat më të mëdha ndaj saj ka qenë nepotizmi. Gjatë drejtimit të Kuvendit, dhjetëra familjarë të saj u punësuan në poste shtetërore. Nipër dhe të afërm të tjerë morën role kyçe në institucione financiare dhe shtetërore, ndërsa disa prej tyre u përfshinë në skandale të rënda, përfshirë trafik droge. Marrëdhëniet e saj të afërta me figura të fuqishme të sistemit të drejtësisë e forcuan më tej ndikimin e saj në konsolidimin e pushtetit chavist.

Pas vdekjes së Hugo Chávez-it në vitin 2013, Flores shërbeu si Attorney General deri në fund të mandatit të tij dhe më pas u shndërrua në Zonjën e Parë më të fuqishme që ka njohur vendi. Ajo refuzoi titullin tradicional “First Lady”, duke preferuar të quhej “First Combatant”, një simbolikë që pasqyronte qasjen e saj militante ndaj pushtetit.

E rezervuar në publik dhe rrallëherë në intervista, Cilia Flores ka ndërtuar imazhin e një figure që vepron më shumë në prapaskenë. Ajo ka braktisur katolicizmin dhe ndjek praktika të ndryshme shpirtërore, ndërsa në të kaluarën ka drejtuar edhe një emision televiziv familjar. Ndaj kundërshtarëve politikë njihet për hakmarrje dhe mungesë tolerance, ndërsa ndaj rrethit të saj familjar ka treguar besnikëri të plotë.

Nga varfëria e Catia-s deri në kulmin e pushtetit në Miraflores Palace, rrugëtimi i Cilia Flores mbetet një nga historitë më kontradiktore të politikës latino-amerikane – një figurë që përkrahësit e shohin si shtyllë të revolucionit chavist, ndërsa kritikët si simbol të abuzimit me pushtetin dhe shkatërrimit institucional të Venezuelës.