Dokumenti 43-faqësh që trondit Tiranën/ Harxhi: SHBA vendosi nën mbikëqyrje institucionet shqiptare
Një operacion i forcave speciale amerikane në Venezuelë, i përshkruar si një ngjarje me përmasa historike, po analizohet si një pikë kthese në politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara. Diplomatja Edit Harxhi, në një analizë të saj, ne edicionin e pasdites në SYRI TV thekson se ky zhvillim nuk është një veprim i rastësishëm, por pjesë e një strategjie të mirëpërcaktuar të administratës së presidentit Donald Trump.
Sipas Harxhit, administrata e dytë e presidentit Trump ka pasur që në fillim një doktrinë dhe plane të qarta, që synojnë të rivendosin rolin e Amerikës në rendin botëror. Kjo strategji matet me suksese të prekshme, siç janë përfundimi i luftërave, arritja e marrëveshjeve ndërkombëtare dhe, siç shihet në rastin e Venezuelës, shpëtimi i shteteve nga diktaturat dhe narkotrafiku.
Ajo përmendi si shembuj të tjerë të kësaj politike përfundimin e konfliktit në Gaza, negociatat mes Ukrainës dhe Rusisë, dhe ndryshimet brenda NATO-s. Ngjarja në Venezuelë konsiderohet nga diplomatja si një prej zhvillimeve më të rëndësishme, që pritet të formësojë jo vetëm politikën e jashtme amerikane, por edhe arkitekturën e sigurisë ndërkombëtare për vitet në vijim.
Gëzimi i popullit venezuelian në rrugë, pas këtij operacioni, u krahasua nga Harxhi me festimet e rënies së komunizmit në Shqipëri dhe Evropën Lindore në vitet '90. Ajo theksoi se popujt që kanë jetuar nën regjime totalitare e kuptojnë më mirë vlerën e lirisë, një nocion që në shumë vende të botës perëndimore merret si i mirëqenë. Në aspektin gjeopolitik, ky veprim lidhet drejtpërdrejt me dokumentin e ri të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së dhe rikthimin e “Doktrinës Monroe”. Kjo sinjalizon një kthim të vëmendjes së Shteteve të Bashkuara drejt hemisferës së saj, një zonë e cila, sipas analizës, ishte anashkaluar për një periudhë të gjatë.
Operacioni në Venezuelë shihet si hapi i parë konkret i kësaj politike të re, që synon një rend të ri botëror.
Sipas Harxhit, shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë intensifikuar vëmendjen ndaj Shqipërisë, e cila prej rreth 11 muajsh ndodhet “nën lupën” e Washingtonit për shkak të shqetësimeve të thella lidhur me krimin e organizuar, korrupsionin dhe cenimin e sigurisë kombëtare.
Harxhi shprehet se një rezolutë 43-faqëshe e Kongresit Amerikan, e njohur si ligji NDAA (Akti i Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare), ka përkufizuar një strategji të qartë për Ballkanin, ku Shqipëria merr një rol qendror, duke sinjalizuar një fazë të re veprimi nga ana e administratës amerikane.
Në themel të kësaj vëmendjeje të shtuar qëndron narkotrafiku, i cili nuk konsiderohet më vetëm një problem i brendshëm, por një kërcënim i drejtpërdrejtë për sigurinë e NATO-s, aleancë ku Shqipëria bën pjesë.
Harxhi tregon për lidhje të drejtpërdrejta mes grupeve kriminale shqiptare, që operojnë në vende si Venezuela, Kolumbia dhe Meksika, dhe zyrtarëve të lartë në Tiranë. Zbardhja e komunikimeve në platforma si “EncroChat” nga agjencitë ndërkombëtare si Interpoli, ka ekspozuar përfshirjen e figurave qeveritare. Si shembull i veprimit konkret amerikan Harxhi përmend sanksionimin e individëve si Luftar Hysa, i cili raportohet se kishte akses në Kryeministri dhe përfitonte tendera publikë.
Harxhi:
Faktikisht, administrata e dytë e presidentit Trump është një administratë e cila, që kur erdhi përpara një viti kishte plane të qarta, doktrina ishte e qartë, por edhe strategjia e politikës së jashtme ishte e qartë. Ishte e përgatitur në atë kohë, përpara se ata të vinin në detyrë. Kështu që pikat kryesore të saj dukeshin që do të ishin një ngritje e rezonancës apo e asaj çfarë duhet të jetë Amerika faktikisht në rendin botëror. Dhe dukej që këto ishin premisa për një rend të ri botëror, ashtu siç edhe ka ndodhur tashmë, siç po shkojmë drejt asaj.
Unë nuk do të doja të radhisja sukseset e presidentit Trump, të cilat ai i bën vetë më mirë se çdo kush tjetër në botë, kuptohet, por kuptohet që në politikë të jashtme, politika e jashtme sot natyrisht që matet me suksese të prekshme, me përfundime luftrash, me marrëveshje ndërkombëtare, por edhe me shpëtim të shteteve nga diktaturat famkeqe dhe nga narkotrafiku. Kështu që kjo ka ndodhur gjatë këtyre muajve, që me përfundimin e luftës në Gaza, me marrëveshjen që është nënshkruar përpara disa muajsh në gjirin Persik përsa i përket rimëkëmbjes së Gazës dhe përfundimit të luftës midis Izraelit dhe Hamasit.
Tashmë negociata të cilat janë drejt fundit me sa duket, siç thotë dhe sekretari Rubio, midis Ukrainës dhe Rusisë. Situata e NATO-s, e cila ndryshoi krejtësisht që në samitin e fundit, me 5%-shin e vendeve anëtare dhe shumë konflikte të tjera ndërkombëtare. Kjo e fundit, që ka ndodhur dje, natyrisht që ka qenë një ngjarje e cila duhet kujtuar shumë vite më vonë si një nga ngjarjet më të rëndësishme, e cila mendoj unë do të ravizojë më tej politikën e jashtme amerikane, por edhe politikën e sigurisë ndërkombëtare në të njëjtën kohë. Mbas një periudhe 25 vjeçare, diktatori dhe autokrati i Venezuelës është tashmë, gjendet në New York, mbas një aksioni të jashtëzakonshëm, si në filmat hollivudianë, të Delta Forcës së shërbimit ushtarak amerikan dhe vetëm kur shohim gëzimin e popullit venezuelian nëpër rrugët e tij, na kujtohet në një farë mënyre vitet '90 në Shqipëri apo në vendet e Evropës Lindore, sepse jo çdokush e kupton se ç'domethënë të fitosh lirinë.
Unë gjendem në Ankara dhe që dje dhe sot mediat turke për shembull, e trajtojnë në mënyrë ndryshe nga ç'mund ta trajtojnë media të tjera, apo dhe media ndërkombëtare të tjera të Evropës perëndimore. Dhe kjo është e vërtetë, shpeshherë hyj në debat me miq të mi këtu, të cilët ndoshta nuk e kuptojnë ashtu siç e kuptojmë ne, një popull që kemi jetuar në robëri, apo që dhe vazhdojmë të vuajmë këto 13-14 vite nga një narkoshtet përsëri, se ç'do të thotë liria e vërtetë.
Shumë popuj e kanë humbur nocionin e lirisë dhe e marrin atë të mirëqenë në një farë mënyre. Kështu që ngjarja e fundit, natyrisht vjen si pasojë, mbasi u lançua dhe dokumenti i Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përpara një muaji e gjysëm, e nënshkruar nga presidenti Trump, me kthimin e doktrinës Monroe, Monroe Plus, që është një kthim i Shteteve të Bashkuara të Amerikës tek përqëndrimi natyrisht tek ajo pjesë e botës, në të cilën ishte anashkaluar në një farë mënyre.
Une unë mendoj në radhë të parë që në javët e ardhshme, ndoshta deri në datën 20, 21 janar, kur është edhe përvjetori i inaugurimit të mandatit të dytë të presidentit Trump, do të ketë edhe regjime të tjera që do të bien, mund të flas këtu për Iranin e të tjerë. Përsa i përket Ballkanit. Ballkani ndërlidhet shumë fort me këtë, për këtë mesazh. E para, Shqipëria është vënë nën lupën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës tashmë prej rreth 11 muajsh, për arsye të narkotrafikut, e cila nuk cënon vetëm sigurinë kombëtare të Shqipërisë, megjithëse dhe kjo do të përbënte një skandal të madh për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sepse ne jemi vend anëtar i NATO-s dhe cënimi i sigurisë kombëtare të një vendi të anëtarit të NATO-s, natyrisht që do të ishte problem për të gjithë vendet anëtare të NATO-s. Por, si duket, disa social-demokratë apo neokomunistë të Brukselit nuk e shohin me të njëjtin sy çështjen Amerika. Nga ana tjetër, në këtë radar është futur Shqipëria dhe për arsye të lidhjeve që ka në mënyrë të drejtpërdrejtë grupet e kriminale, kuptohet, të trafikut të kokainës apo të substancave narkotike, që janë grupe shqiptare, të cilat funksionojnë në Venezuelë, në Ekuador, në Kolumbi, madje dhe në Meksikë. Përpara disa javësh kemi parë sanksionimin e njërit prej tyre, që ishte Luftar Hysa, i cili ka qenë një njeri që hynte dhe dilte në kryeministri, në zyrën e kryeministrit shqiptar, madje ka marrë edhe tendera dhe statusin e një investitori strategjik në Shqipëri përpara disa vitesh.
Të gjitha këto e kanë vënë natyrisht Shqipërinë, Edi Ramën nën këtë radar, ashtu siç është edhe Serbia. Ju thashë pak përpara, sepse ju tregova më parë edhe për çështjen e manipulimit zgjedhor nga ana e Beogradit, kështu që jam e sigurt që Vuçiçi nuk e ka të gjatë, e ka shumë të shkurtër kohën e tij, megjithëse edhe ai ka bërë mjaft zullume. Por po flas për Shqipërinë.
Natyrisht korrupsioni, krimi i organizuar, të gjitha këto janë çështje të cilat janë sensitive për SHBA-në. Dhe siguria kombëtare e Shqipërisë tashmë, mungesa e sigurisë kombëtare të Shqipërisë i ka tejkaluar përmasat kombëtare. Tashi ky është krim transnacional, përderisa këto grupe kriminale shqiptare, të cilat dihet që janë të lidhura me qeverinë shqiptare, tashmë kjo dihet sepse kanë dalë të gjitha EncroChat-et, pra, këto sistemet dytësore të telefonave, aplikacione të telefonave ku flisnin trafikantët, janë të zbardhura tashmë nga nga Interpoli dhe nga prokuroritë e shumë vendeve të Evropës, por edhe të Amerikës.