Kur Rama e quante Trump kërcënim për Amerikën dhe mesazhi i fortë i Rubio: Kush bën lojëra me presidentin tonë do të…
Edi Rama është nga të paktët liderë të kontinentit europian që nuk ka reaguar pas arrestimit që forcat speciale amerikane, me urdhër të presidentit Trump, i bënë Nikolas Maduros, të cilin e akuzojnë për narko-terrorizëm, asgjësim të demokracisë dhe persekutim të kundërshtarëve politikë.
Por, pak kohë më parë, në cilësinë e kryeministrit, Edi Rama do të bëhej gjithashtu lideri i parë i kontinentit që sulmonte Donald Trump si kandidat për presidentin e 46-të të SHBA-së, në garë me Joe Biden.
Rama përdori një gjuhë aspak diplomatike dhe sulmuese ndaj presidentit Trump, për të cilin thoshte: “Mos e dhashtë Zoti që të fitojë zgjedhjet”.
Këto deklarata Rama i bënte në cilësinë e të qenit një kukull e armikut më të madh të Trump në SHBA, George Soros.
Sulmin dhe përçmimin ndaj presidentit Trump, Rama e përsëriti edhe me një tallje ndaj tij pak muaj më parë, në një samit ndërkombëtar, në prani të presidentit francez, Emmanuel Macron.
Por një mesazh i qartë dhe i prerë u është dërguar liderëve botërorë që tentojnë të “luajnë lojëra” me Shtetet e Bashkuara dhe presidentin Trump, në ditën e arrestimit të Maduros, nga Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, i cili theksoi në konferencë për shtyp se presidenti aktual amerikan është një njeri i veprimit që nuk toleron sfida.
Marco Rubio e theksoi paralajmërimin gjatë konferencës për shtyp të presidentit të SHBA-së, Donald Trump, ku u përdor rasti i Nikolas Maduros së Venezuelës si shembull kryesor i pasojave që vijnë nga refuzimi i rrugëve paqësore.
Rubio e përshkroi presidentin Trump si një lider që, kur thotë se do të bëjë diçka, e merr seriozisht dhe vepron.
“Ky nuk është një person që vetëm flet, dërgon letra dhe mban konferenca për shtyp. Kur ai thotë se do të bëjë diçka, e ka seriozisht”, theksoi Rubio, duke shtuar se çdo kërcënim ndaj sigurisë kombëtare amerikane do të adresohet pa hezitim.
Deklarata e Marco Rubios:
“Po dua të sqaroj një gjë. Nikolas Maduro ka pasur shumë mundësi për ta shmangur këtë. Janë dhënë shumë shanse, shumë oferta bujare, por ai vendosi të bënte lojëra dhe e mori përgjigjen sot. Mesazhi është i qartë.
Sot ka shumë persona në botë që duan të bëjnë lojëra. Janë ata që duan të konfiskojnë kompanitë amerikane në vendet e tyre, ata që dërgojnë bandat e tyre në vendin tonë. Janë persona që mendojnë se nuk do t’u ndodhë gjë.
Shpresoj që tani ta kuptojnë se kemi një president, të 47-in e SHBA-së, i cili nuk bën lojëra. Kur thotë se do të bëjë diçka, e ka seriozisht dhe vepron.
Unë e kam parë këtë proces për 14–15 vjet. Të gjithë thonë ‘do ta bëjmë këtë’ apo ‘do ta bëjmë atë’, por ky është një president i veprimit.
Ky përbënte kërcënim për sigurinë tonë kombëtare dhe presidenti ynë e adresoi këtë. Ai është një president i paqes. Maduro kishte shumë oferta. Mund të jetonte diku tjetër, shumë i lumtur, por donte të bënte të fortin me ne. Tani do të përballet me shumë më tepër problematika. Mesazhi për botën është i qartë: presidenti ynë dëshiron të jetë miqësor me të gjithë, por mos bëni lojëra.”
Çfarë thoshte Edi Rama për Donald Trump disa vite më parë:
“Mos e dhashtë Zoti që Amerika ta zgjedhë Trump për president. Donald Trump është kërcënim për Amerikën dhe, pa dyshim, është kërcënim për marrëdhëniet shqiptaro-amerikane. Do të ishte një president që do t’i bënte dëme të mëdha Amerikës dhe do të ishte kërcënim real për marrëdhëniet shqiptaro-amerikane”, ka thënë Rama.
Këto deklarata Rama i dha në një intervistë për mikun e tij, gazetarin Baton Haxhiu.