Anthony Joshua thyen heshtjen pas aksidentit tragjik: Kujdestar i vëllezërve të mi
Anthony Joshua ka reaguar për herë të parë publikisht pas aksidentit tragjik automobilistik që u mori jetën dy prej miqve të tij më të afërt, Sina Ghami dhe Latif “Latz” Ayodele. Ish-kampioni i botës në peshat e rënda zgjodhi rrjetet sociale për të shprehur dhimbjen e tij, duke publikuar dy fotografi prekëse në Instagram.
Në imazhe, Joshua shfaqet pranë familjarëve të miqve të ndjerë, ndërsa postimi shoqërohej me një mesazh të shkurtër, por shumë domethënës: “Kujdestar i vëllezërve të mi.” Një reagim i heshtur, por i mbushur me emocione, që tregon lidhjen e fortë që e bashkonte me dy bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë.
Aksidenti ndodhi pranë Lagos-it, në Nigeri, kur automjeti 4×4 ku udhëtonte Joshua u përplas me një kamion të ndalur. Ghami, trajner force, dhe Ayodele, trajner personal, të dy 36 vjeç, humbën jetën në vend. Vetë Joshua u nxor nga rrënojat e makinës dhe fatmirësisht pësoi vetëm lëndime të lehta.
Boksieri britanik është kthyer tashmë në Mbretërinë e Bashkuar për t’u rikuperuar dhe pritet të marrë pjesë në ceremoninë mortore të miqve të tij në Londër. Fillimisht, ai kishte hezituar të ishte i pranishëm, nga frika se prania e tij mund të tërhiqte vëmendje të tepruar, por në fund ka vendosur të qëndrojë pranë familjeve në këtë moment të dhimbshëm.
Reagimi i Joshua-s ka prekur thellë botën e sportit, duke treguar anën e tij njerëzore përtej ringut.