Fenerbahçe insiston për Nkunku, lojtari nuk është i bindur, Milan kërkon të paktën 35 milionë euro

Ndërsa pret të rikthehet në fushë pas problemit me kyçin që e la jashtë ndeshjes kundër Cagliarit, Christopher Nkunku mbetet objektivi kryesor i Fenerbahçes, të udhëhequr nga Giacomo Tedesco në pankinë. Trajneri italian dëshiron ta ketë në skuadër për të tentuar sulmin për kreun kampionatit turk, aktualisht të udhëhequr nga Galatasaray i Osimhen-it.

Duke parë kampionatin italian si një “supermarket” futbolli të nivelit të lartë, Fenerbahçe po tenton seriozisht edhe një tjetër francez, këtë herë për mesfushën: Guendouzi nga Lazio.

Në negociatat me Milanin për sulmuesin francez, klubi turk po përpiqet të shfrytëzojë raportin e ngushtë të Nkunku me Tedesco-n, ndërtuar gjatë kohës së tyre te Leipzigu. Megjithatë, lojtari nuk duket shumë i bindur për t’u transferuar në një kampionat që, edhe pse i nivelit të mirë, nuk është një nga më të fortët në Europë.

Milan, nga ana tjetër, do të ishte i gatshëm ta shiste Nkunku-në, por kërkon të amortizojë shumën e madhe që shpenzoi për ta sjellë në Milano. Këtë verë, klubi kuqezi pagoi Chelsea-n, pronar i kartonit, plot 37 milionë euro plus 5 milionë euro bonuse dhe 10% nga shitja e ardhshme. Natyrisht, oferta fillestare e turqve prej 25 milionë eurosh konsiderohet e papërshtatshme nga drejtuesit kuqezi; marrëveshja mund të mbyllet vetëm rreth 35 milionë euro.

Me ardhjen e Fullkrug si alternativë për çiftin titullar Pulisic-Leao, dhe me Loftus-Cheek si trekuartist pas një sulmuesi qendror, duke pritur rikuperimin e Gimenez, Milan do të kishte një repart sulmues të besueshëm edhe në rast largimi të Nkunku. Por gjithçka varet nga dëshira e Fenerbahçes për të rritur ofertën dhe nga vullneti i francezit.