Torino i bën dalje Asllanit, nuk e grumbullon për Veronën, huazimi drejt ndërprerjes
Përvoja e Kristjan Asllanit te Torino mund të përfundojë papritur, me gjashtë muaj më herët, pasi klubi ‘granata’ po shqyrton mundësinë për të mos vazhduar huazimin.
Mesfushori shqiptar ishte transferuar në Torino me huazim nga Interi në gusht, gjatë pjesës finale të merkatos. Megjithatë, aventura e tij me fanellën e Torinos rrezikon të përfundojë që në fillim të janarit.
Klubi ‘granata’ po konsideron seriozisht ndërprerjen e huazimit vjetor dhe lirimin e Asllanit menjëherë. Një vendim i tillë do të ishte befasues dhe i paparashikueshëm, sidomos për kohën e tij, por vendimi përfundimtar pritet të merret brenda pak orësh.
Asllani, i cili para se të kalonte te Torino ishte kërkuar edhe nga Bologna për një transferim të përhershëm, kishte mbërritur te klubi 'granata' në verë me huazim me pagesë prej 1,5 milionë eurosh, me të drejtë blerjeje të vendosur në 11,5 milionë euro.
Kështu, Interi mund ta rikthejë Asllanin në skuadër në mes të sezonit, por mbetet të shihet nëse ai do të qëndrojë aktiv në ekipin zikaltër.
Marrëveshja midis Interit dhe Torinos parashikonte një huazim vjetor me të drejtë blerjeje, por klubi granata po mendon seriozisht ta ndërpresë atë gjashtë muaj përpara, sipas gazetarit Matteo Moretto.
Vendimi përfundimtar pritet pas ndeshjes së ardhshme të Torinos kundër Veronës, sot në orën 18:00. Pra, brenda pak orësh do të sqarohet nëse aventura e Asllanit te Torino është mbyllur.
Si shenjë e ndarjes mes Torinos dhe Asllanit, mesfushori shqiptar nuk do të jetë pjesë e skuadrës për ndeshjen kundër Veronës. Përjashtimi i tij nuk lidhet me probleme fizike, por sepse nuk është më pjesë e planeve të klubit dhe të trajnerit.