Trump kritikon Putin-in, arrihet marrëveshja SHBA-Ukrainë për mbështetjen e ushtrisë

Presidenti amerikan Donald Trump ka shprehur dje shqetësimin për situatën në Ukrainë, duke shënjestruar edhe homologun e tij rus, Vladimir Putin.

“Nuk më entuziazmon Putin-i. Nuk jam i kënaqur. Po vriten shumë njerëz”, tha ai.

Deklarata vjen në një moment kur nga Kievi njoftohet se këshilltarët e sigurisë të NATO-s dhe aleatët evropianë, së bashku me përfaqësuesin special të Trump, Steve Witkoff, kanë hartuar një dokument ushtarak të përbashkët amerikano-ukrainas.

Dokumenti, sipas shefit të Shtabit të Përgjithshëm ukrainas, Andriy Hnatov, përcakton “modalitetet e mbështetjes për Ukrainën dhe Forcat e Armatosura, si do të furnizohen dhe modernizohen ato, si do të monitorohet respektimi i marrëveshjeve dhe si do të ndërhyhet në rast të shkeljeve”.

Trump theksoi edhe dje se marrëveshja për Ukrainën “është afër arritjes”, ndërsa zv/ministri ukrainas i Jashtëm Serhiy Kyslytsia tha se disa dokumente janë “100% gati”, ndërsa të tjera “90% të përgatitura”.

Takimi shërbeu gjithashtu për përgatitjen e samitit të liderëve të Vullnetarëve, i planifikuar më 6 janar në Paris, ku pritet të marrin pjesë 30 presidentë dhe kryeministra, përfshirë presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, kryeministren italian,e Giorgia Meloni, kryeministrin kanadez, Mark Carney dhe homologun finlandez, Alexander Stubb. Ende nuk është konfirmuar se kush nga Administrata amerikane do të jetë prezent. Ky samit do të fokusohet kryesisht në garancitë për sigurinë pas përfundimit të luftës, sipas shefit të kabinetit të Zelensky, Kyrylo Budanov.

Presidenti francez, Emmanuel Macron ka shfaqur një aktivitet të lartë diplomatik, duke thirrur samitin dhe premtuar nga ana e të Vullnetshmëve “angazhime konkrete për të mbrojtur Ukrainën dhe për të siguruar një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme në Europë”.

Veprimet e tij mund të krijojnë tensione me aleatin e ngushtë gjerman, Friedrich Merz, pasi në samitin e Berlinit në dhjetor u dakordua mbi një kontingjent ushtarak për sigurinë e Ukrainës pas luftës, por detajet mbeten të paqarta. Ndërsa Franca dhe Britania janë gati të dërgojnë trupa, Gjermania ende heziton, duke konsideruar të parakohshme diskutimin për “trupa n♪7 tokë” pa një armëpushim të rënë dakord.

Në fjalimin e Vitit të Ri, Macron ka treguar gatishmëri për të negociuar detajet pas arritjes së marrëveshjes, ndërsa vendimet e tij mbi asetet ruse dhe Mercosur, si dhe dëshira për të komunikuar me Putin, tregojnë synimin e Parisit për të rifituar iniciativën në frontin europian, edhe pse kjo shkakton ndonjë tension me Berlinin.