Në Francë e quanin ‘njeriu i akullt’, por tek Juvja u ‘shkri’ që në muajt e parë
Në Francë e quanin “Iceman”, simbol i ftohtësisë dhe saktësisë para portës. Por në pak muaj me fanellën bardhezi, Jonathan David duket se është “shkrirë”, duke humbur sigurinë dhe instinktin e golashënuesit që e shoqëronte gjatë viteve te Lille.
Momenti kyç i sezonit të tij deri tani ishte penalltia e humbur ndaj Lecce-s, një episod që mund t’i ndryshonte gjithçka: besimin, rrjedhën e sezonit dhe ndoshta edhe gjykimin e ambientit. Locatelli dhe Yildiz ia dorëzuan topin pikërisht për këtë arsye, por zgjedhja rezultoi fatale. Një goditje e dobët, e lexuar lehtësisht nga Falcone, që u shndërrua në simbolin e një nate dhe një sezoni të vështirë.
Luciano Spalletti e mbrojti sulmuesin pas ndeshjes, duke theksuar se David është gjuajtës i penalltive dhe se nuk e fajëson as për goditjen e gabuar, as shokët e skuadrës që ia besuan penalltinë. Megjithatë, shifrat flasin qartë: vetëm tre gola në 23 paraqitje sezonale janë shumë pak për një sulmues që erdhi në Torino me famën e një ‘bomber’-i të madh dhe me një pagë prej 6 milionë eurosh neto në sezon.
Pas golit në debutim ndaj Parma-s më 24 gusht, David nuk ka lënë më gjurmë në kampionat. Mungesa e Vlahovic-it ishte një mundësi ideale për t’u imponuar si titullar, por përballë Lecce-s, edhe pse u preferua ndaj Openda-s, ai u kufizua në një goditje me kokë të ndalur nga Falcone dhe më pas në një paraqitje thuajse të padukshme.
Nga “Iceman” te pikëpyetja e madhe: Jonathan David tani është i thirrur të reagojë, përndryshe presioni në Torino do të bëhet gjithnjë e më i madh.