Joan García, ‘gardiani’ i trofeve: goditja më e madhe e Barcelonës në merkato

Është thënë gjithmonë se titujt fitohen me gola, por edhe me pritje. Sulmuesit marrin duartrokitjet dhe çmimet individuale, por një portier, me ndërhyrjet e tij vendimtare, mund të përcaktojë fatin e një sezoni. Pikërisht në këtë rrugë është Joan García, pa asnjë dyshim afrimi i vitit te Barcelona.

Mjaftuan vetëm pak muaj në La Liga dhe disa paraqitje në Champions League që 25 milionë eurot e paguara për të të duken si një pazar i artë. Në një moment delikat ekonomik për klubin, Barcelona ka siguruar portën për shumë vite me një çmim thuajse simbolik. Një lëvizje perfekte.

Paraqitja e tij në derbin katalanas ishte edhe një tjetër provë force. Joan García, 24 vjeç, vendas nga Sallent del Llobregat, konfirmoi se është tashmë një nga portierët më vendimtarë në kampionat. Ironikisht, pikërisht origjina e tij e bëri transferimin shumë të debatueshëm. Në “RCDE Stadium” ai u prit me kore, pankarta provokuese dhe fyerje nga tifozët e Espanyol-it, një shenjë e qartë e ndikimit të madh që ka në futbollin spanjoll.

Hansi Flick nuk la vend për dilema: “Joan García është një nga portierët më të mirë në botë”. Një mendim i ndarë edhe nga shokët e skuadrës. Fermín e quajti “spektakolar”, ndërsa Dani Olmo theksoi se “po i jep dhe do t’i japë shumë Barcelonës”.

Që nga dita e parë, performancat e tij kanë mbyllur çdo debat me Ter Stegen. Flick e ka bërë të qartë hierarkinë, duke e konsideruar Joan García-n si numrin një. I vetmi diskutim që vazhdon është ai rreth Kombëtares spanjolle, ku mungesa e tij në lista ngre gjithnjë pikëpyetje.

Në heshtje, pa polemika, Joan García vazhdon të flasë vetëm në fushë. Aktualisht është portieri më në formë i La Liga-s dhe një nga armët kryesore të Barcelonës në ëndrrën për Champions League. Me të në portë, titujt duken më afër.