Panik në Valencia, tifozët sulmojnë autobusin e skuadrës, klubi reagon ashpër
Momente tensioni dhe frike janë përjetuar në Valencia pas rikthimit të skuadrës nga transferta e humbur 4-1 ndaj Celta Vigo-s. Në aeroportin e Manises, rreth 200 tifozë kanë pritur autobusin e ekipit, duke e sulmuar me hedhje objektesh dhe duke thyer një nga xhamat e mjetit zyrtar ku udhëtonin lojtarët dhe stafi teknik i drejtuar nga Carlos Corberan.
Episodi ka shkaktuar shqetësim të madh mes futbollistëve dhe stafit, pasi situata mund të kishte marrë përmasa edhe më të rënda. Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë qartë xhamin e autobusit të dëmtuar rëndë, dëshmi e agresionit të ushtruar nga një pjesë e tifozërisë.
Valencia reagoi menjëherë me një komunikatë zyrtare në profilet e saj sociale, ku dënoi ashpër ngjarjen. Klubi shprehu “mirëkuptim” për zhgënjimin dhe frustrimin e tifozëve për rezultatet e fundit negative, por theksoi se asgjë nuk mund të justifikojë akte të tilla dhune. Sipas deklaratës, thyerja e xhamit të autobusit “mund të kishte sjellë pasoja shumë më serioze”, duke rrezikuar sigurinë fizike të lojtarëve dhe anëtarëve të stafit teknik.
Klubi spanjoll riafirmoi qëndrimin e tij të prerë kundër çdo forme dhune, duke nënvizuar se sjellje të tilla nuk përfaqësojnë vlerat e Valencia-s dhe as të futbollit në përgjithësi. Për momentin, nuk janë dhënë detaje shtesë mbi hetimet apo masat që mund të merren pas këtij incidenti.