Kush është Nikolas Maduro, presidenti i Venezuelës?

3 janar (Reuters) – Më poshtë janë disa fakte kryesore për Nikolas Maduron, presidentin e Venezuelës, për të cilin presidenti Donald Trump tha se është kapur nga forcat amerikane të shtunën.

Trump, qeveria e të cilit e ka akuzuar Maduron për drejtimin e karteleve të drogës dhe krime të tjera, kishte ushtruar presion ndaj tij prej muajsh që të largohej nga pushteti.

Maduro lindi me 23 nëntor 1962 në një familje punëtore. Ai është djali i një lideri sindikal dhe ka punuar si shofer autobusi në kohën kur oficeri i ushtrisë Hugo Çavez udhëhoqi një tentativë të dështuar për grusht shteti në vitin 1992.

Ai bëri fushatë për lirimin e Çavezit nga burgu dhe u bë një mbështetës i zjarrtë i agjendës së tij të majtë. Pas zgjedhjeve të vitit 1998, fitoi një vend në parlament.

Më pas u ngjit në poste të larta, duke u bërë kryetar i Asamblesë Kombëtare dhe më vonë ministër i Jashtëm, duke udhëtuar nëpër botë për të ndërtuar aleanca ndërkombëtare përmes programeve të ndihmës të financuara nga nafta.Çavez e zgjodhi atë si pasuesin e tij dhe Maduro u zgjodh president me një diferencë të ngushtë në vitin 2013, pas vdekjes së Çavezit.

Gjatë qeverisjes së tij, vendi përjetoi një kolaps të madh ekonomik, të shoqëruar me hiperinflacion dhe mungesa kronike produktesh. Sundimi i tij u bë i njohur për zgjedhje të dyshuara si të manipuluara, mungesa ushqimore dhe shkelje të të drejtave të njeriut, përfshirë shtypjen e ashpër të protestave në vitet 2014 dhe 2017. Miliona venezuelas emigruan jashtë vendit.

Qeveria e tij u përball me sanksione të ashpra nga SHBA-ja dhe fuqi të tjera. Në vitin 2020, Uashingtoni e akuzoi atë për korrupsion dhe krime të tjera, por Maduro i hodhi poshtë këto akuza.

Ai u betua për një mandat të tretë në janar të vitit 2025, pas zgjedhjeve të vitit 2024 që u dënuan gjerësisht nga vëzhguesit ndërkombëtarë dhe opozita si të manipuluara. Mijëra protestues kundër shpalljes së fitores së qeverisë u arrestuan.

Një mision hetimor i OKB-së gjeti muajin e kaluar se Garda Kombëtare Bolivariane (GNB) ka kryer shkelje të rënda të të drejtave të njeriut dhe krime kundër njerëzimit për më shumë se një dekadë, duke shënjestruar kundërshtarët politikë, shpesh pa u ndëshkuar.

Masat represive të qeverisë së tij u theksuan edhe nga dhënia e Çmimit Nobel për Paqen 2025 për lideren e opozitës, Maria Corina Maçado. / Reuters – Syri.net