Nga arrestimi i Noriegës te kapja e Maduros/ Pse ngjashmëritë po e tmerrojnë Edi Ramën
Kur Manuel Noriega, narko-diktatori i Panamasë, u fut në ambasadën e Vatikanit në vitin 1989, forcat ushtarake nuk mund të ndërhynin për shkak të imunitetit diplomatik. Zgjidhja ishte lufta psikologjike.
Për ditë me radhë, Noriega u vendos nën presionin e një torture të pazakontë. SHBA vendosën të aplikojnë torturën akustike. Bëhej fjalë për altoparlantë të fuqishëm ku luheshin disa nga hitet më të rënda të muzikës metal. Mes tyre edhe e famshmja ‘Panama’ e Van Halen.
Tortura rezultoi efikase dhe Noriega u dorëzua. Ai u dërgua në SHBA dhe u dënua për vepra penale që lidhen me drogën.
Nuk është ndonjë rastësi që emri i Noriegës përmendet kaq shumë sot në median ndërkombëtare pas arrestimit të narko-diktatorit të Venezuelës, Nicolas Maduro.
Kjo për shkak se mediat, por jo vetëm, janë në kërkim të ngjashmërisë.
Si Noriega, ashtu dhe Maduro, ishin shpallur prej muajsh fitues në zgjedhje të manipuluara gjerësisht. Të dy ishin akuzuar publikisht se kishin krijuar narko-shtetet e tyre.
Janë pikërisht këto ngjashmëri që duhet ta tmerrojnë Edi Ramën në këtë ditë të rëndësishme për historinë botërore.
Edhe ai ka pak muaj që ka realizuar një nga farsat elektorale më të mëdha në historinë europianë.
Sa i përket drogës, nuk ka fund lumi i fakteve, dokumenteve dhe akuzave nga mediat dhe politikanët, shqiptarë dhe të huaj, që thonë se ai ka ngritur të parin narko-shtet në mes të Europës.
Po nëse ka disa që mund të thonë se Rama nuk ndjehet i tmerruar, mjafton të lexoni reagimet e lehaqenësve të tij në media për të kuptuar se cila është gjendja e tij emocionale.
Përpjekja për të gjetur dallime me atë që ndodhi sot në Venezuelë është vetëm një shenjë dëshpërimi, pasi çdo rast mund të ndryshojë nga tjetri për mënyrën e ekzekutimit, por thelbi mbetet i njëjtë.
Kush prek zgjedhjet dhe përfshihet në trafik droge është armik i Amerikës.
Dhe ata nuk harrojnë, madje u pëlqen simbolika dhe datat.
Ndaj mos u mundoni ta qetësoni me shkrimet tuaja nëpër media. Njësoj si Maduro dhe Noriega, edhe ai e ka një dosje të trashë në SHBA. Nuk e ka në Nju Jork, por në Uashington, nëse u ndihmon për ta gjetur një detaj ngushëllues se pse Rama është ndryshe nga Maduro.