Allegri, pas fitores ndaj Cagliarit: Po punojmë mirë, por nuk ka kuptim të flasim për ‘Scudetto’-n

Massimiliano Allegri u shfaq i kënaqur, por i matur pas fitores minimale 1–0 të Milanit ndaj Cagliarit, në një ndeshje të vështirë që u vendos nga detajet. Trajneri kuqezi foli për DAZN, duke analizuar paraqitjen e skuadrës, ndryshimin mes dy pjesëve të lojës, ndikimin e zëvendësimeve dhe objektivat realë të sezonit.

Duke iu referuar fjalëve të thëna lojtarëve gjatë ndeshjes, Allegri theksoi se skuadra duhej të bënte më shumë sesa në pjesën e parë. “Cagliari vrapoi shumë dhe krijoi rrezik. Duhej të përmirësoheshim, sidomos pas golit”, u shpreh ai.

Trajneri ndaloi edhe te diferenca mes dy pjesëve: “Në pjesën e parë nuk sulmuam mjaftueshëm në thellësi. Në të dytën hynë më mirë në lojë, sulmuam më drejtpërdrejt dhe Fofana bëri një aksion shumë të mirë”. Një rritje ritmi që i dha Milanit më shumë kontroll dhe siguri.

Për Rafael Leaon, Allegri dha një analizë të sinqertë: “Kur luan në mes, është më aktiv. Kur luan në të majtë, ndonjëherë shkëputet nga loja. Si sulmues qendre ka cilësi dhe karakteristika, por ende duhet të gjejë formën më të mirë”.

Fjalë pozitive pati edhe për Fullkrug-un, i cili hyri nga stoli: “Ka ardhur me shumë dëshirë dhe sot na ndihmoi me duele ajrore dhe topa të lartë. Është i ri në ekip, por është përshtatur shumë mirë”.

Në fund, Allegri uli entuziazmin për titullin: “Po punojmë mirë dhe kam një grup lojtarësh të jashtëzakonshëm. Dy ndeshje radhazi pa pësuar gol tregojnë pjekuri mendore. Nuk ka kuptim të flasim për ‘Scudetto’-n; duhet të mbledhim pikë për të qenë në katërshen e parë dhe të arrijmë muajin mars në formën më të mirë”.