VIDEO-SYRI TV/ Kaos në rrugët kombëtare, qeveria nuk merr asnjë masë, qytetarët në mëshirë të fatit
Kaosi dhe papërgjegjshmëria lanë në mëshirë të fatit qytetarët në mbarë vendin, të cilët u përballën të vetëm me kushtet e përkeqësuara të motit. Aksidente, bllokime rrugësh dhe rrezik për jetën shoqëruan qytetarët vetëm një ditë pas festës së ndërrimit të viteve. Ndërsa Ministria e Infrastrukturës, e drejtuar nga zëvendëskryeministrja nën akuzë, Belinda Balluku nuk mori asnjë përgjegjësi.
SYRI TV
2 janari 2026 shënoi edhe një herë dështimin e institucioneve shtetërore për të garantuar sigurinë minimale në rrugët kombëtare të vendit. Reshjet e dëborës dhe ngricat, edhe pse të paralajmëruara, e gjetën Shqipërinë të papërgatitur, ndërsa pasojat ranë drejtpërdrejt mbi qytetarët.
Rruga e Kombit u shndërrua në një zonë kaosi, ku dhjetëra aksidente u regjistruan për shkak të mungesës së kriposjes dhe papërgjegjshmërisë së autoriteteve. Automjete të bllokuara, drejtues të frikësuar dhe mungesë totale koordinimi – kjo ishte panorama në një nga akset më të rëndësishme të vendit.
Situata nuk ishte më e mirë as në juglindje. Aksi Elbasan–Përrenjas mbeti i bllokuar për rreth 12 orë, duke izoluar qindra qytetarë, pa informacion dhe pa ndihmë në kohë. Në një vend normal, një bllokim i tillë do të përbënte emergjencë kombëtare. Në Shqipëri, u trajtua si një problem i zakonshëm dimri.
Qeveria, e cila çdo vit premton masa parandaluese dhe gatishmëri për sezonin e ftohtë, dështoi sërish të provojë se këto premtime janë më shumë se fjalë. Ndërsa qytetarët përballen me rrezik real për jetën, përgjegjësia politike mbetet pa adresë.
Edi Rama po lufton me thonj të mbajë në detyrë një nga përgjegjësit kryesor të kaosit në rrugët e vendit për shkak të abuzimeve miliardëshe, Belinda Ballukun.
Dhe pyetja që shtrohet sot është e thjeshtë: sa aksidente dhe sa orë izolimi duhen që institucionet të mbajnë përgjegjësi reale?
Derisa kjo pyetje të marrë përgjigje, rrugët do të vazhdojnë të jenë kurthe, dhe dimri – një provë që shteti vazhdon ta humbasë.