Bota e Formulës 1 uron Schumacher-in: Sot lindi një legjendë!
Si çdo 3 janar, Ferrari nuk harron një nga figurat më të mëdha të historisë së Formulës 1. Me një mesazh emocional në rrjetet sociale, skuadra nga Maranello i ka uruar ditëlindjen Michael Schumacher-it, që sot mbush 57 vjeç.
“Sot lindi një legjendë. Shumë urime Michael Schumacher”, shkruhet në postimin e publikuar nga Ferrari në Instagram, një frazë e thjeshtë, por e ngarkuar me simbolikë për një pilot që ka shënuar një epokë të tërë të sportit automobilistik. Schumacher është shtatë herë kampion bote dhe emri i tij është i lidhur ngushtë me sukseset më të mëdha të Ferrarit, sidomos në fillim të viteve 2000, kur dominimi i tij në pistë e ktheu “Kokëkuqen” në skuadrën më të frikshme të kampionatit.
Urimet nuk kanë munguar as nga bota e Formulës 1 në tërësi. Profili zyrtar i këtij sporti ka publikuar mesazhin: “Shumë urime dhe gëzuar ditëlindjen Michael Schumacher”, duke nënvizuar respektin dhe mirënjohjen për një kampion që ka ndikuar thellë në historinë e garave.
Edhe Mercedes ka ndarë një mendim të veçantë për Schumin: “Gëzuar ditëlindjen Michael, ikonë e Formula 1 dhe një pjesë e rëndësishme e historisë sonë”. Një vlerësim që tregon se trashëgimia e Schumacher-it shkon përtej ngjyrave të një skuadre të vetme.
Edhe pse prej vitesh larg syrit të publikut, Michael Schumacher mbetet një simbol i përkushtimit, talentit dhe fitores. Çdo 3 janar, bota e Formula 1 ndalet për të kujtuar se atë ditë ka lindur vërtet një legjendë.