Bardh Spahia: Rënia e diktatorëve është fitore e demokracisë dhe shpresës

Deputeti i Partisë Demokratike, Bardh Spahia, ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale, duke e cilësuar një zhvillim të fundit ndërkombëtar si një fitore për demokracinë, drejtësinë dhe lirinë e popujve.

“Sot bota merr frymë pak më lirshëm. Çdo diktator që bie, çdo pushtet që vihet para drejtësisë, është një fitore për njerëzit e zakonshëm, për të vërtetën dhe për shpresën”, shprehet Spahia, duke theksuar se asnjë regjim nuk është i përjetshëm dhe se frika nuk mund të jetë më e fortë se vullneti i një populli që kërkon ndryshim.

Në reagimin e tij, deputeti demokrat e konsideron “kapjen e diktatorit Maduro” si një kujtesë se demokracia mund të shtypet përkohësisht, por nuk mund të zhduket, ndërsa drejtësia, sipas tij, mund të vonojë, por nuk harron.

Spahia e lidh këtë mesazh edhe me situatën politike në Shqipëri, duke deklaruar se ky moment duhet të shërbejë si frymëzim për vendin, ku sipas tij liria kërcënohet nga ajo që ai e quan “narko-qeveri”.

“Historia ka një ligj të thjeshtë: diktatorët bien, demokracia përherë do të triumfojë”, përfundon reagimin e tij deputeti i PD-së.

Postimi i Bardh Spahisë:

Sot bota merr frymë pak më lirshëm.
Çdo diktator që bie, çdo pushtet që vihet para drejtësisë, është një fitore për njerëzit e zakonshëm, për të vërtetën dhe për shpresën.
Asnjë regjim nuk është i përjetshëm.
Asnjë frikë nuk është më e fortë se vullneti i një populli që kërkon liri dhe ndryshim.
Kapja e diktatorit Maduro është një kujtesë për të gjithë:
demokracia mund të shtypet përkohësisht, por nuk mund të zhduket.
Drejtësia mund të vonojë, por nuk harron.
Le të jetë ky moment frymëzimi edhe për vendin tonë ku liria kërcënohet nga një narko-qeveri. Le të shërbejë kjo ditë për çdo qytetar i cili ende beson në triumfin e të mirës mbi të keqen dhe për çdo popull që nuk dorëzohet.
Sepse historia ka një ligj të thjeshtë, diktatorët bien. Demokracia përherë do triumfojë.