Alegri: Leao si qendërsulmues shkëlqen, skuadra luan si një e tëra

“Leao si qendërsulmues është më i gjallë në lojë. Ka karakteristikat e duhura për këtë rol, ndërsa kur luan në të majtë ndonjëherë ‘fle’ dhe del nga ndeshja,” tha Maks Alegri, duke analizuar paraqitjen e Milanit të tij në ndeshjen me Kaljarin, e vendosur nga një gol i sulmuesit portugez.

“Në fillim të ndeshjes pësuam menjëherë tre goditje drejt portës. Në ato momente duhet të jemi të rregullt, sepse ndeshjet zgjasin 100 minuta. U rritëm në pjesën e dytë dhe duhej të kishim shënuar edhe një gol tjetër.

Titulli? Është shumë herët; ka 5 skuadra me një diferencë prej 3-4 pikësh. Të fitonim ishte e rëndësishme, po aq sa të mos pësonim gol. Edhe ndaj Veronës skuadra kishte qëndruar e organizuar. Duhet të vazhdojmë të punojmë dhe e dimë që është shumë e vështirë të shkojmë deri në fund. Po rikuperojmë lojtarë, fryma është e mirë. Kjo skuadër luan si një skuadër e vërtetë,” përfundoi Alegri.