Izraeli hap zjarr ndaj paqeruajtësve të OKB-së në Libanin jugor

Forca e Përkohshme e Kombeve të Bashkuara në Liban (UNIFIL) njoftoi se ndaj paqeruajtësve të saj është hapur zjarr nga forcat izraelite në Libanin jugor, pa shkaktuar viktima. Forca paqeruajtëse e OKB-së është e vendosur në jug të vendit në bashkëpunim me ushtrinë libaneze, si pjesë e armëpushimit që hyri në fuqi në nëntor 2024 mes Izraelit dhe grupit Hezbollah, të mbështetur nga Irani.

“Incidente të tilla po ndodhin shumë shpesh dhe përfaqësojnë një trend shqetësues”, thuhet në deklaratën e UNIFIL-it.

Sipas njoftimit, ushtarët që patrullonin në Libanin jugor të hënën raportuan të shtëna me armë zjarri në një distancë më pak se 50 metra nga pozicioni i tyre. Pak më vonë, paqeruajtës të tjerë që patrullonin në të njëjtën zonë raportuan të shtëna me mitraloz nga një distancë e ngjashme. Në asnjërin rast nuk pati të lënduar apo dëme materiale.

UNIFIL bëri të ditur se në të dyja incidentet, zjarri erdhi nga një pozicion ushtarak izraelit (IDF) në jug të Vijës Blu, e cila përcakton kufirin midis Libanit dhe Izraelit.

Forca paqeruajtëse theksoi se Izraeli ishte informuar paraprakisht për praninë e trupave të saj në zonë dhe i bëri thirrje IDF-së të ndalë çdo sjellje agresive kundër ose pranë paqeruajtësve. Sipas UNIFIL-it, veprime të tilla përbëjnë shkelje serioze të rezolutës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së të miratuar në vitin 2006, e cila shërbeu si bazë për armëpushimin aktual.

Në muajt e fundit, UNIFIL ka raportuar vazhdimisht incidente me zjarr izraelit ndaj paqeruajtësve. Javën e kaluar, sipas forcës së OKB-së, një paqeruajtës mbeti i plagosur. Pavarësisht armëpushimit, Izraeli vijon pothuajse çdo ditë sulmet dhe operacionet në Libanin jugor, duke deklaruar se synon pozicionet e Hezbollahut, të cilat i akuzon për riarmatosje. Trupat izraelite vazhdojnë gjithashtu të qëndrojnë në pesë pika në Libanin jugor, të cilat i konsiderojnë me rëndësi strategjike.