VIDEO-SYRI TV/ Ziso Musha, personi që druri i 'trembet', autodidakt në gdhendjen e drurit

Ziso Musha është një emër i njohur jo vetëm në shoqërinë e artistëve por edhe për fusha të ndryshme të shoqërisë si politikanët, biznesmenët, besimtarët e qytetarët e thjeshtë. Nga duart e tij kanë dalë shumë punime druri që kanë zbukuruar jo vetëm salla, restorante, vila por edhe kisha të besimit ordodoks.

Mbi 12 ikonostase të kishave ortodoske mbajnë firmën dhe vulën e tij në qytete të ndryshme si Korça, Pogradeci, Lushnja, Fieri e më tej. Këto zbukurime janë gdhendje me sipërfaqe të mëdha, pa llogaritur këtu qindra punime të tjera të kryera në mbi 50 vite punë.

Mbi 50 vjet duke gdhendur dru, degë pemësh, rrënjë pemësh të cilat i shkul, i merr, i lë të thahen mirë dhe sa herë që shkon për ti kontrolluar mendon se çfarë mundë të bëjë me to, çfarë forme, fytyre apo simboli mund t’i kthejë ato.

Ziso na tregon për punimet e tij që kanë shkuar kryesisht në shumë qytete e zona të Shqipërisë së jugut e deri në Tiranë dhe më lart drejt veriut por edhe jashtë kufijve, në vendet e rajonit si dhe në Amerikë, Francë, Gjermani.

Ai na tregon rastin e një francezi i cili është kthyer 3 herë në 5 vjet, ai vjen dhe blen porositë që i ka lënë artistit autodidakt Ziso Musha.

Duke ndjekur mjeshtrin Musha në çdo hap ai na tregon ambientet, punët e tij, vendin apo tavolinën ku ai tjetërson drurin duke e marr ashtu si e ka bërë natyra dhe i jep formë e trajtë tjetër që ai dëshiron.

Ziso ka një merak, atë të trashëgimit të këtij zanati në brezat e rinj veçanëtisht në një kohë kur emigrimi është si rruga më e shpejtë që zgjedhin të rinjtë duke lënë pas vendin dhe mundësitë që ai jep, qoftë edhe përmes zanateve krijuese si ai i zdrukthtarit. Me krenari Ziso na tregon se dy djemve të tij jua ka trashëguar zanatin, ndërsa synimi I tij tani janë nipërit të cilëve po ua ngjall dëshirën për gdhendjen e drurit çdo ditë e më shumë.

Ky ishte mjeshtri duarartë Ziso Musha i cili e merr drurin nga natyra, ashtu si ajo e ka krijuar dhe i jep formë e trajtë tjetër, ashtu si ai e mendon, ashtu si njerëzit e kërkojnë.