VIDEO-SYRI TV/ KLSH: Në treg janë hedhur ilaçe të skaduara. Shteti mbyll sytë para skandalit
Kontrolli i Lartë i Shtetit denoncon se në tregun shqiptar qarkullojnë ilaçe të skaduara, ndërsa Fondi i Kujdesit Shëndetësor nuk ka kryer verifikime, duke e cilësuar situatën si një fenomen të përhapur gjerësisht. Sipas raportit, kjo neglizhencë rrezikon shëndetin e qytetarëve dhe ka sjellë dëm financiar për buxhetin publik përmes rimbursimit të barnave të parregullta.
Nga SYRI TV
Në tregun shqiptar janë hedhur ilaçe të skaduara dhe situata bëhet akoma më alarmante kur, strukturat shtetërore nuk kanë bërë asnjë reagim, megjithëse janë plotësisht në dijeni të kësaj situate.
Kontrolli i Lartë i Shtetit thotë se institucioni përgjegjës, Fondi i Kujdesit të Sigurimit Shëndetësor, nuk kryen verifikime të vazhdueshme, duke krijuar boshllëk në zinxhirin e sigurisë farmaceutike.
Kjo neglizhencë ka krijuar kushtet që barnat e skaduara ose pranë skadencës të qarkullojnë në tregun e hapur, të përdoren nga pacientët dhe të rimbursohen nga fondet publike në rastin kur është shitur në farmacitë me kontratë. Sipas KLSH-së kjo situatë përbën fenomen, gjë që do të thotë se është e përhapur gjerësisht në tregun farmaceutik shqiptar.
‘Ky fenomen përbën shkelje të protokolleve mjekësore të përdorimit të barnave dhe bie në kundërshtim me standardet e sigurisë dhe cilësisë’, thuhet në raportin e Auditit, të përfunduar në Tetor 2025. Krahas rrezikut mbi shëndetin e qytetarëve, fenomeni i shitjes së ilaçeve të skaduara apo pranë skadencës është shoqëruar edhe me një faturë të konsiderueshme financiare për buxhetin publik.
Kontrolli i Lartë i Shtetit thotë se, pavarësisht se ka evidenca që depo të ndryshme farmaceutike kanë shpërndarë medikamente të skaduara, sërish Fondi i Kujdesit të Sigurimit Shëndetësor ka kryer rimbursimin financiar të tyre, duke i konsideruar si të rregullta.